Volejboll, Partizani drejt titullit, mposht Vllazninë

Partizani në volejboll për meshkuj ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt titullit. Skuadra që drejtohet nga trajneri Ylli Tomorri, fitoi 3-2 ndaj Vllaznisë në një ndeshje emocionuese, me rivalitet dhe që zgjati për më shumë se 2 orë e 20 minuta.

Të kuqtë, të cilët e mbyllen sezonin në vendin e katërt, eliminuan një skuadër pretendente si Erzeni i Shijakut në gjysmëfinale dhe tashmë kërkojnë të bëjnë të njëjtën gjë edhe ndaj Vllaznisë.

Shkodranët, që arritën finalen pasi kaluan Tiranën, ishin pranë fitores, por gabuan në pikët e fundit. Partizani udhëheq 1-0 serinë e finaleve, ndërsa ndeshja e radhës luhet pas 3 ditësh në kryeqytet.