Vrasja e vëllezërve Bilali, të arrestuarit nuk pranojnë akuzën. Provat që i implikojnë

Forca të ndërhyrjes së shpejtë blinduan paraditen e së hënës Gjykatën e Shkodrës, ku u zhvillua seanca për caktimin e masës së sigurisë për dy të akuzuarit si bashkëpunëtore në vrasjen e vëllezërve Bilali, ngjarje kjo e ndodhur në datën 30 mars të këtij viti.

Ndaj dy të akuzuarve, Arsen Stojku dhe Mislim Rama, të dy nga fshati Mjedë, u vendos masa e sigurisë “arrest me burg” për akuzën e vrasjes me paramendim e kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje. Burime brenda seancës bëjnë me dije, se dy të akuzuarit nuk kanë pranuar të kenë lidhje me vrasjen e vëllezërve Bilali, por nga ana tjetër mësohet se Prokuroria ka dorëzuar para gjykatës prova shkencore qe implikojnë dy të arrestuarit në këtë ngjarje. Bëhet fjalë për shenja gishtërinjsh që janë gjetur në armën me të cilën dyshohet se është kryer ekzekutimi i vëllezërve Bilali, armë e cila u gjet në mjetin që u përdor nga autorët dhe që nuk u dogj plotësisht.

Ndërkohë, për këtë ngjarje, Prokuroria e Shkodrës ka shpallur në kërkim edhe Ibrahim Licin, i cili dyshohet edhe si organizatori dhe ekzekutori i vëllezërve Bilali. Ibrahimi është djali i Mustafë Licit, anëtarit të këshillit bashkiak të Shkodrës si dhe nipi i Fatbardh Licit, të vrarë në 8 gusht të vitit të kaluar.

Prokuroria dyshon se vrasja e vëllezërve Bilali është vazhdim i hakmarrjeve që grupet kriminale në Shkodër kanë ndërmarrë ndaj njëri-tjetrit dhe që janë intensifikuar së tepërmi dy vitet e fundit.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN