Ndizet gjysmëfinalja e Champions, replika mes trajnerëve

Tottenham Ajax ka nisur ende pa zbritur skuadrat në fushë. Kjo për shkak të deklaratave, pasi trajneri i “Spurs”, Mauricio Pochettino, mendon se nuk është e drejtë që kampionati holandez ka ndaluar për të ndihmuar Ajax të jetë i freskët, në një kohë kur Premier League angleze vijon me ritëm të lartë.

“Ajax ka patur më shumë se një javë në dispozicion për të përgatitur ndeshjen kurse ne jo. Nuk mendoj se është e drejtë që skuadrat të vijnë në këtë përballje me këto rrethana. Ajax ka një avantazh të pa drejtë në këtë aspekt”, tha trajneri i Tottenham.

Por nuk ka munguar replika e trajnerit Ten Hag për këtë çështje. 49-vjecari ka gjetur një tjetër aspekt për t’iu përgjigjur Pochettinho-s.

“Ne marrim 10 milion euro nga e drejta televizive. Po ata? Nuk e di shifrën e saktë, por shumë më shumë. Po kjo a është e drejtë? Këto janë rrethanat. Gjithsecili ndodhet në rrethana të ndryshme dhe duhet t’i pranojë ato”.

Stadiumi i ri i Tottenham do të pushtohet për herë të dytë nga ethet e një ndeshjeje Champions, këtë herë, me rëndësi edhe më të madhe.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN