Pejiç skanon talentet shqiptarë dhe kampionatin

Katër tituj kampion të fituar në Shqipëri, me Dinamon, Skënderbeun dhe Kukësin dhe tre herë golashënuesi më i mirë i kampionatit. Lidhja e Pero Pejiç me vendin tonë mbetete fort, sepse edhe tani që nuk është në aktivitet prej një viti, kroati ndodhet në Tiranë, ku po përfundon kursin UEFA A për trajner.

“Kur je trajner do të mendosh për 25 koka dhe është pak më i vështirë. Nëse nuk do të filloj direkt trajner i parë, ndoshta drejtor sportiv”, thotë Pejic

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, ish-sulmuesi është angazhuar edhe në vëzhgimin e talenteve në kampionatin shqiptar dhe atë kosovar për llogari të Dinamos së Zagrebit. “Shikojmë lojtarët e rinj, 15, 16 deri në 19 vjeç. Edhe Shqipëria dhe Kosova kanë lojtarë shumë të talentuar”.

Pejiç e kujton më të fort Kategorinë Superiore, kur luante aty dy sezone më parë, ndërsa e sheh Partizanin kampion, edhe pse ende mungon garancia matematike. “Kur luaja unë para dy vitesh ishte shumë i fortë kampionati, ishte “zjarr” deri në fund. Kurse tani, për mendimin tim Partizani është kampion”.

Kastrioti e kërkoi me ngulm në janar, ndërsa u përfol edhe Partizani. Pejiç ishte gati të kthehej në fushë, por interesimi nga Kosova, Qipro, Letonia apo Malta nuk e bindi. Pavarësisht pauzës, Pejiç beson se nëse do të ishte në fushë gjatë këtij sezoni, do të ishte në krye të listës së golashënuesve.

Shkarkoni aplikacionin e A2