Samiti i Berlinit, Milo dhe Islami flasin për rezultatin – A2

Samiti i Berlinit, Milo dhe Islami flasin për rezultatin

Rezultatet e Samitit të Berlinit,  2 ish ministrat e Jashtëm, Kastriot Islami dhe Paskal Milo, i lexojnë ndryshe. Sipas Islamit bëhet fjalë për një shuplakë për 3-shen Rama, Vucic, Thaçi. Ndërsa për Milon, në samit u dhanë edhe disa garanci.

Për ish ministrin e Jashtëm Kastriot Islami, samiti i Berlinit ishte një shuplake e fortë për Edi Ramën, Aleksandër Vucic dhe Hashim Thacin, dhe idesë për korrigjim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Islamit, “ka qenë një shuplakë e fortë ndaj këtyre personazheve që nga një anë kërkojnë të bëhen pjesë e BE dhe nga ana tjetër kërkojnë t’i fusin thikën pas shpine,  dhe gjithë kjo është në fund është një lojë se këta kanë frikë të humbasin pushtetin”.

Por për një tjetër ish ministër të Jashtëm, Paskal Milo, qëndrimi i dyshes Makron – Merkel ishte një garanci që iu dha vendeve të Ballkanit se nuk do të mbeten jashtë vëmendjes.

Paskal Milo

“Në kuptimin që Ballkani Perëndimor do të jetë në vëmendjen e Bashkimit Evropian, por Merkel dhe Macron e theksuan qartë që të mos ketë pritshmëri për hapje negociatash të shpejta për vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, thotë Milo.

Kriza politike sipas ish ministrave ka ndikuar po aq sa zgjedhjet e brendshme në vendimin për ta shtyrë përgjigjen për hapjen apo jo të negociatave në shtator.

“Ndonëse e pashpallura publikisht, janë edhe ngjarjet e brendshme politike që e kanë futur Shqipërinë në pragun e rrjetit vicioz të krizës”, pohon  Milo.

Kastriot Islami

Islami vijon konceptin duke thënë se “ata e dinë që përtej Maqedonisë këto vende drejtohen nga persona të korruptuar që kanë kapur shtetin”.

Në mbledhjet e para të samitit të Berlinit, u shikua mundësia për projekte konkrete për vendet e Ballkanit, por më pas nuk u fol më për to.

Shkarkoni aplikacionin e A2