Takimi në Berlin, Merkel-Macron: Nuk ka bisedime për zgjerimin e BE

Takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor në Berlin nisi me buzëqeshje, shtrëngime duarsh dhe përqafime. Megjithatë, atmosfera pozitive u shua, ndërsa dy organizatorët e këtij eventi, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti Francez Emmanuel Macron, ulën pritshmëritë duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp.

“Dua të bëj të qartë se këto nuk janë bisedime për anëtarësim në BE, pasi për këtë ka një proces të organizuar dhe drejtuar nga BE. Takimi i sotëm do të hedhë dritë mbi situatën në disa vende të rajonit dhe do të shohim se në cilat fusha ne kemi nevojë për një impuls të ri për të bërë progres. Do të kemi një diskutim të hapur, por nuk do të marrim vendime”, tha Merkel.

“Nuk do të flasim për zgjerim dhe politikat e Bashkimit Europian, por për një politikë stabiliteti që duam të kemi në rajon. Për Francën, kjo përfshin një strategji të re riorganizimi, të cilën dëshiroj ta prezantoj tek partnerët tanë”, u shpreh Macron.

Dy liderët nënvizuan se diskutimet do të fokusohen kryesisht në dialogun Kosovë-Serbi.

“Diskutimi kryesor i sotëm, është ai për Kosovën dhe Serbinë dhe për mënyrën se si mund të ecim përpara. Për momentin kemi një zhvillim në fushën e tarifave dhe nuk po shkon në drejtimin e +duhur”, tha kancelarja gjermane.

“Çështja kryesore e diskutimit do të jetë Kosova dhe Serbia. Shpresojmë që dialogu të rifillojë. Nuk duam të imponojmë zgjidhje, por kërkojmë që të mos ketë emocione në rrugën përpara dhe vështirësi të reja”, u shpreh presidenti francez.