120 minuta bllokim të akseve rrugore, Basha: Më 11 maj do të tundet vendi

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe ajo e Lëvizjes Socialiste për Integrim, po zhvillojnë një takim, ku në fokus pritet të jetë përcaktimi i agjendës së protestave rajonale dhe përcaktimi i qyteteve ku do të ketë bllokime të akseve rrugore.

Këtë të enjte, opozita do të bllokojë disa rrugë në pjesë të ndryshme të vendit, por edhe pse pikat nuk janë bërë ende publike, është vendosur që bllokimi këtë herë do të zgjasë 120 minuta, ndryshe nga jaa e kaluar ku akset u bllokuan për vetëm një orë.

Ky është takimi i parë mes dy liderëve politikë të opozitës që prej prezantimit të platformës me 12 pika të partive të grupimit të qendrës së djathtë, ku kërkohet edhe thirrja e një takimi gjithëpërfshirës nga Presidenti i Republikës për të zgjidhur këtë krizë politike.

Presidenti ende nuk është shprehur në lidhje me këtë, pasi sipas burimeve, nuk është vendosur ende një kanal komunikimi me Kryeministrin Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, i cili ka qenë i impenjuar në samitin e Berlinit.

Por ndërsa pritet një përgjigje nga Edi Rama për uljen ne tryezën e përbashkët me partitë opozitare dhe presidentin, Lulzim Basha ka shtuar presionin me një paralajmërim të fortë. “Në 11 maj do të tundet vendi”, tha kreu i demokrateve duke iu referuar protestës së radhës kombëtare që do të organizojë opozita.