19 studentë vrasin veten, ngelën në provim

19 studentë kanë vrarë veten në shtetin indian Telangana që prej mesit të muajit prill, pas publikimit të rezultateve të provimeve, duke bërë që zyrtarët të nisin kontrollet mbi to.

Qindra prindër kanë protestuar mbi mënyrën e vlerësimit të studentëve të klasës së 12, pasi mendojnë që kanë marrë nota të ulëta, shpesh edhe kanë ngelur, padrejtësisht. Provimi në fjalë ishte vendimtar për pranimin në universitet. Disa studentë kanë thënë se kishin marrë mungesë në provim edhe pse ishin paraqitur rregullisht, ndërsa të tjerë thanë se kishin marrë 0 pikë, edhe pse kishin plotësuar fletën.

Prindërit fajësojnë për gjendjen kaotike Bordin e Arsimit të Mesëm, institucioni përgjegjës për vlerësimin e provimeve, por edhe qeverinë lokale. Sistemi arsimor në Indi shpesh është kritikuar pasi i vendos studentët nën presion të madh jo vetëm për të marrë provimet, por për të pasur sukses me çdo kusht. Mijëra indianë të rinj vrasin veten çdo vit. Sipas Zyrës Kombëtare të Krimeve, në vitin 2015, ata përbënin 6,7% të të gjitha vetëvrasjeve, 9000 në shifra absolute.