Basha takon Kryemadhin: Bllokohen rrugët në 12 qarqe

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe ajo e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, zhvilluan një takim paraditen e sotme në selinë e LSI.

Pas daljes nga takimi, Lulzim Basha u shpreh se ditën e enjte do të mbahen protesta me bllokimin e rrugëve në 12 qarqet e vendit.

“Jemi në një krizë të thellë politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale. Jemi edhe në një krizë totale të procesit më jetik për Shqipërinë, atë të integrimit europian. Shkaku i kësaj krize është kjo qeveri që ka asgjësuar votën e lirë. Ne do të vazhdojmë aksionin tonë në të gjitha planet. Nesër do të nisë aksioni në 12 qarqet e vendit, duke bllokuar rrugët. Paradite do të shpalosim detyrat e qeverisë tranzitore”, u shpreh Basha.

Në fund, Basha theksoi edhe një herë tjetër se largimi i Edi Ramës është kusht i panegociueshëm.

Ky është takimi i parë mes dy liderëve politikë të opozitës që prej prezantimit të platformës me 12 pika të partive të grupimit të qendrës së djathtë, ku kërkohet edhe thirrja e një takimi gjithëpërfshirës nga Presidenti i Republikës për të zgjidhur këtë krizë politike.

Presidenti ende nuk është shprehur në lidhje me këtë, pasi sipas burimeve, nuk është vendosur ende një kanal komunikimi me Kryeministrin Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, i cili ka qenë i impenjuar në samitin e Berlinit.

Por ndërsa pritet një përgjigje nga Edi Rama për uljen ne tryezën e përbashkët me partitë opozitare dhe presidentin, Lulzim Basha ka shtuar presionin me një paralajmërim të fortë. “Në 11 maj do të tundet vendi”, tha kreu i demokrateve duke iu referuar protestës së radhës kombëtare që do të organizojë opozita.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN