Negociatat Shqipëri-BE, nënkryetari i CDU/CSU: Vendimi në shtator!

Kancelarja gjermane Merkel dhe Presidenti francez Macron

Nënkryetari i grupit parlamentar CDU/CSU  Johann Wadephul, në një intervistë për “Deutsche Welle”, foli me nota pozitive për Samitin e Berlinit. i pyetur për mundësinë e çeljes së negociatave të Shqipërisë, zyrtari gjerman tha se vendimmarrja mund të shtyhet për në vjeshtë.

“Mbetemi në pritje të rekomandimit të Komisionit të BE-së dhe ky do të na vijë pas zgjedhjeve europiane. Prandaj, sipas gjasave, nuk do të jemi në gjendje që t’i organizojmë konsultat deri në qershor. Vendimi do të merret në shtator. Dhe, nëse Shqipëria i përmbush kushtet për çeljen e negociatave, edhe ne do ta japim votën tonë pozitive në Bundestagun gjerman, duke i mundësuar qeverisë gjermane që të votojë në nivel europian”, tha Wadephul.

Ai foli gjithashtu edhe për krizën politike në vendin tonë, duke inkurajuar opozitën të bëhet pjesë e proceseve demokratike. “Zhvillimi aktual është i keq. Nuk dua të ndërhyj në raportet personale të PD-së në Shqipëri. Por dëshiroj ta inkurajoj atë të marrë pjesë në proceset politike. Ne nuk mund ta sjellim Shqipërinë në Bashkimin Europian nëse forcat pro-europiane qofshin ato pro-Rama, qofshin pro-Basha,  janë në konflikt me njëra-tjetrën. Pa kompromis nuk ka demokraci”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN