Nis sezoni turistik, fillojnë investimet edhe në Jug të vendit

Prej tre vitesh bashkitë e jugut, e nisin sezonin turistik në maj, po sa të gatshëm janë vendasit dhe operatorët turistik të mirëpresin turistët?

Materialet e ndërtimit përgjatë rrugës që të çon drejt detit të fshatit Borsh tregojnë se operatorët po bëhen gati për sezonin e ri që në fakt ka nisur.

Filip Kaçi, një nga mikëpritësit e Borshit

“Kam 17 vjet që kam filluar aktivitetin, e fillova me dy dhoma, pastaj katër, tani kam ndërtuar katër katëshin. Kam ndryshuar këtë vit edhe të gjitha orenditë, nga krevatet, dyshekë, televizorët”, thotë Filip Kaçi, një nga mikpritësit.

E megjithatë, nëse vijon rrugën drejt vijës bregdetare kupton se ka vetëm një market për të blerë produkte dhe bregut të detit dhjetëra bare ende të pahapura. Sipas Kaçit, shumë prej vendasve dyert i hapin në korrik dhe gusht, kur është piku i sezonit, edhe pse vetë ai akomodon që nga maji të huajt që e adhurojnë klimën dhe natyrën e jugut.

“Nuk ka patur turistë në maj dhe qershor në Borsh fillojnë në korrik dhe gusht 30% e hoteleve kanë qenë të mbyllur sepse nuk kanë ardhur pronarët që rrinë jashtë”, thotë Kaçi.

Por, si Kaçi që është kthyer nga emigracioni për të investuar në banesën e tij për të mirëpritur turistët gjatë gjithë sezonit, gjejmë edhe shumë vendas të tjerë.

Beta nuk është penduar për rikthimin nga emigracioni

“Jam rikthyer për të bërë një investim në këtë zonë, dhomat dhe ushqimi këtu është shumë i mirë. Nuk jam penduar që jam rikthyer”, thotë Beta, një grua e vendit e rikthyer nga emigracioni. Borshi ka qenë gjithnjë një fshat që mirëpret familjarët dhe mungesa e një shëtitoreje apo një infrastrukturë më të mirë duket se është një problem për operatorët.

Ka qenë South Outdoor Festival që ka populluar Borshin për thuajse 4 ditë. Për ata që hapën dyert këtë fundjavë, festivali duket se ka qenë një ogur i mirë për sezonin e verës.