Rama “thumbon” Haradinajn: Nuk komentohen bisedat informale, i pakonceptueshëm refuzimi për pezullimin e taksës

Kryeministri Edi Rama me anë të një statusi të gjatë në Facebook, ka sqaruar pozicionin e tij në lidhje me një deklaratë të fortë të homologut të tij kosovar, Ramush Haradinaj, i cili deklaroi se nga Rama i kishte ardhur në Berlin më shumë presion se nga vetë Vucic për heqjen e taksës ndaj Serbisë.

Rama, duke parashtruar faktin se i vjen keq që miku i tij Haradinaj nuk ka mësuar faktin se “nuk komentohen bisedat informale të udhëheqësve”, saktësoi që sipas tij “ askush s’i ka bërë Ramushit presion në Berlin për të hequr taksen”.

Takim informal gjatë samitit të Berlinit

Më tej kryeministri shqiptar tregon sipas tij rrjedhën  e ngjarjeve.  “Kancelarja Merkel dhe Presidenti Macron, kanë nxitur një diskutim informal në holl mbi rifillimin e dialogut. Kam ndërhyrë vetëm njëherë, duke thënë se ata duhet të hynin vetë në proces. Me tutje i kanë kërkuar me shumë durim dhe disa herë Ramushit jo ta heqë taksën, po thjesht të japë pëlqimin që taksa të pezullohet përkohësisht, për 6 muaj apo edhe për 4 muaj”.

Dhe këtu, për Ramën, ai i ka mbështetur këtë propozim franko-gjerman, sepse edhe pse e ka mbështetur dhe e mbështet taksën “si një klithëm të Kosovës”, refuzimi i Merkel dhe Macron i duket “ i pakonceptueshëm” sepse taksa i është vënë Serbisë, dhe nuk është një mur që i është vënë Gjermanisë, Francës apo SHBA, për t’i ndaluar ta ndihmojnë e ta mbështesin Kosovën”.

Aq më shumë kur zbulon që pezullimi në fjalë, do të kishte patur si pasojë finale liberalizimin e vizave për Kosovën, “nëse në fund të muajve të dialogut nuk do të arrihej objektivi final i nënshkrimit të paqes” mes Prishtinës dhe Beogradit.

Kryeministri e mbylli me tone ironike, duke thënë që ngushëllohet se “edhe Vucic” kishte dalë i pakënaqur nga takimi me Ramën dhe se, pa dashur të hynte në polemika, “askush nuk mund t’ i pengonte atij të fliste për Kosovën”.

Shkarkoni aplikacionin e A2