A iu kërkua Ramës në Berlin shtyrja e zgjedhjeve?

Në mbledhjen e kësaj të enjteje të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ndër të tjera, Kryeministri Rama përsëriti edhe njëherë tjetër se zgjedhjet lokale nuk do të shtyhen, por do të mbahen më 30 qershor.

“Kujtonin se do të hutonin dhe tronditnin Europën dhe Amerikën duke veshur jelekët e destabilizatorit të Shqipërisë në emër të luftës me narko-qeverinë e vendit të tyre, por në këmbim kanë marrë vetëm refuzimin. Kujtojnë se do të ngrenë njerëz për të djegur godina dhe institucione, duke shpresuar se do të prodhojnë dëshmorë të revolucionit të tyre imagjinar, por gjetën vetëm disa të verbër që sot janë në burg për shkak të tyre. U gënjen mendja se do të ndalojnë Shqipërinë të bëjë zgjedhje vendore në datën e përcaktuar nga Kushtetuta sepse ende kujtojnë, mesa duket, se do të gjejnë budallenj që të shkojnë me këmbët e tyre burgjeve pasi të sulmojnë kutitë e votimit për llogari të gramafonit të Lulit dhe filxhanit të Monikës. Por hë për hë nuk kanë gjetur asnjë budalla nëpër botë që t’i takojë e jo më t’i dëgjojë përpara se sa të jetë shumë vonë kësaj marrëzie”, tha Kryeministri.

Por, a iu kërkua në Berlin Edi Ramës shtyrja e zgjedhjeve? “E meqë megjith broçkullat që u thanë me rastin e Samitit të Berlinit, u tha se mua do të më kërkonin shtyrjen e zgjedhjeve apo do të më tërhiqnin veshin për zgjedhje pa pjesëmarrjen e humbësve të arratisur nga procesi. Iu them se nuk më zuri veshi, jo asnjë kërkesë apo kapje të kësaj natyre, por asnjë fjalë, zero. Në demokraci, askush nuk është i detyruar të hyje në zgjedhje. Kushdo është i lirë të hyjë apo jo në zgjedhje”, tha Rama.