A u prish me Rudina Hajdarin për emrin e partisë? Si përgjigjet Patozi

Astrit Patozi refuzon cilësimin si lider i Bindjes Demokratike. Sipas tij, koncepti i kryetarokracisë është “sëmundja më e keqe e politikës shqiptare”, dhe modeli i bindjes nuk mund të jetë ai i një kryetari të përjetshëm, që duartrokitet edhe kur humb pafundësisht.

Në këtë qasje, Patozi është personi përgjegjës i partisë, sepse një të tillë “e kërkon ligji, që nuk parashikon triumvirate”.

Pjesë e këtij triumvirati, ose dhe vetë personi përgjegjës mund të ishte Rudina Hajdari. Sipas disave, ajo e ka refuzuar diçka të tillë, ndoshta për emrin. Patozi nuk e sheh si problem. “Informacioni mund të jetë i saktë ose i gabuar. Rëndësi ka që ajo është një personalitet politik që unë kam mbështetur shumë më parë së të mendonim për krijimin e një partie”.

Por kjo nuk do të thotë që dyert e Bindjes për të janë të mbyllura.  “Ajo derën e ka të hapura me 4 kanate, kurdo që të mendojë”, thotë.

Dy ditë para shpalljes së Bindjes, Patozi është takuar me të. “Unë pi kafe me gjysmën e Shqipërisë. Me Rudinën do të pinim kafe edhe po mos ta mendonim njësoj, edhe sikur të ishim kundërshtarë, sepse është vajza e mikut tim, që sot nuk jeton më dhe ishte një emblemë e Partisë Demokratike”. Por ai nuk mohon se me zonjën Hajdari ka qenë në traktativa, madje thotë se kanë “biseduar për shumë gjëra, si për refuzimin e djegies së mandateve”.

Hajdari është sot edhe kryetare e grupit demokrat në Parlament. Për refuzimin e tyre për t’iu bashkuar Bindjes, ai thotë se “duhet të pyeten ato, dhe jo unë. Ato kanë të drejtën të mos zgjedhin kurrë Bindjen, por ne mendojmë që gjesti i tyre ishte akti i duhur. Kjo është politika që duam të sjellim, kush nuk vjen me ne mbetet i respektuar”, duke shtuar se “kauza jonë është e njëjta, dhe janë gjithsesi të ftuar, sot, nesër , pasnesër”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN