Aty ku shuplaka shndërrohet në “gjest familjar”: “Denoncimet, asgjë nuk bëhet nga institucionet”

Gazetarja Ilva Hasanaliaj, i portalit Faktoje.al, ndërhyri në studion e A2 CNN në debatin midis Gjergji Gjikës, kryetar i Dhomës së Fasonistëve dhe Mirela Arkimandritit, drejtoreshës ekzekutive të Aleancës Gjinore. 

Gazetarja tregoi për investigimin e saj në botën e fasonerisë, dhe në veçanti për kushtet në të cilën punojnë gratë. Një aspekt tronditës sipas saj ka qenë elementi i dhunës së ushtruar në atë kontekst. Dhunë psikologjike, me presione të mëdha për të arritur planin, por shpesh herë edhe dhunë e mirëfilltë fizike.

Sipas saj, dhuna në ato ambiente përshkruhen pothuajse si një mjet i domosdoshëm, me raste ku shuplaka shndërrohej në një “gjest familiar”. Dhuna verbale për Hasanaliajn është pjesë e përditshmërisë, dhe futet tek “vështirësia e punës”.

Problematika të tjera janë ato të zbatimit efektiv të kontratës të punës, dhe njohja e të drejtave mjekësore, kur shpesh herë kanë munguar edhe dëmshpërblimet për aksidentet në ambientet e punës.

Po këtu Gjika nuk bie dakord me një përshkrim që sipas tij baltos një kategori të tërë, kur vetëm një 13% sipas tij nuk respekton rregullat dhe ka kushte të vështira, dhe citon disa raste në Korçë dhe Përmet.  

“Të denoncohen emrat.  Ata që rrahin gratë të shkojnë në birucë”, ngren zërin Gjika.

Por më vonë, edhe ai pranon se nuk është aq e thjesht procedura e denoncimit.

“Kam bërë denoncime edhe unë, jam i ndjeshëm, por asgjë nuk bëhet nga institucionet”.  Përse? Dhe jep një shembull. “Një kryetar bashkie i Përmetit kohë më parë kur dëgjoi për denoncimin tha – Mos more, se unë atje çoj gjithë gratë sa herë më kërkojnë pune”.