Disiplina godet Partizanin, Shkumbini lehtësohet pas dhunës

Komplikohet sprinti final i Partizanit drejt titullit kampion. Ndeshja ndaj Laçit nuk ndikoi vetëm në shtyrjen e festës, por lë edhe pasoja për pesë javët e mbetura deri në fund të sezonit.

Për shkak të tensionit gjatë barazimit 1-1, mesfushori Bruno Telushi është pezulluar për katër javë, për sjellje jo-sportive. Me dy ndeshje skualifikohet edhe trajneri i të kuqve, Skënder Gega, i cili si rrallë herë në këtë sezon ka kontestuar ashpër arbitrat. Komisioni i Disiplinës njoftoi edhe nisjen e hetimit për incidentin në fundin e takimit Skënderbeu-Flamurtari, ndërmjet kapitenit të korçarëve, Marko Radas dhe mesfushorit të vlonjatëve, Idriz Batha.

Ndërkohë, klubi i Shkumbinit lehtësohet pas episodeve të dhunës, në fundin e ndeshjes me Delvinën, e vlefshme për Kategorinë e Dytë. Për agresionin ndaj arbitrit, në radhët e peqinasve u pezullua me dy ndeshje zyrtari i klubit, Arjanit Ballhysa, ndërsa me pesë javë u dënua futbollisti Alban Bizhyti.