Kriza në Venezuelë, tensionohen marrëdhëniet mes Moskës e Uashingtonit

Venezuela tensionon edhe më shumë marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

Dy fuqitë botërore janë përfshirë në një duel të vërtetë me akuza reciproke dhe kërcënime me tonë të luftës së ftohtë. Në një telefonatë pas grushtit të dështuar të shtetit, siç e cilësoi presidenti venezuelas Nikolas Maduro, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov kritikoi ashpër sekretarin amerikan të shtetit Mike Pompeo, i cili nuk përjashtoi përdorimin e forcës për t’i dhënë fund trazirave në shtetin amerikano-latin.

Mediat ruse raportojnë se Lavrov paralajmëroi SHBA për pasoja të renda.

“Uashingtoni të mos përzihet në punët e brendshme të Venezuelës. Kjo përbën një shkelje flagrante të të drejtës ndërkombëtare që nuk ka asnjë lidhje me demokracinë”, deklaroi ministri rus.

Po aq e ashpër replika e Pompeos që akuzoi Rusinë se do të destabilizojë Venezuelën duke rrezikuar edhe marrëdhëniet dypalëshe mes Uashingtonit dhe Moskës. Ndërkaq, Donald Trump u kujdes të paralajmëronte aleatin tjetër të Maduros, Kubën.

“Nëse trupat dhe milicitë kubaneze nuk do të rreshtin operacionet ushtarake që rrezikojnë të shkaktojnë vdekje dhe shkatërrimin e kushtetutës venezuelase, do të vendosim një embargo totale në ishull, shoqëruar me sanksione të tjera”, tha Trump.

Ndërkaq,  manifestime të reja janë organizuar në shtetin amerikano-latin nga lideri opozitës Huan Guaido. Ai bëri thirrje për një seri grevash që do të detyrojnë rrëzimin e Nikolas Maduros. Guaidó u kërkoi punonjësve publikë të veprojnë por sipas analistëve do të jetë e vështirë. Punonjësve të administratës u është thënë se nëse do të marrin pjesë në manifestime, do të humbasin vendin e punës.

Një grua u vra dhe dhjetëra të tjerë u plagosën kur protestuesit dhe forcat e sigurisë u përleshën në Karakas, ditën e mërkurë. 

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN