Peza: Opozita përfundoi si OJQ, Patozi si Berisha

Alfred Peza, sekretari për Marrëdhëniet me Shoqërinë Civile dhe Mediat në PS, ishte i ftuar në Ditarin e orës 13:00 në A2CNN nga ku komentoi situatën aktuale në vend.

Teksa komentoi opozitën, Peza e vlerësoi atë si OJQ. “Mazhoranca ka si objektiv vetëm zgjedhjet e 30 qershorit dhe i gjithë fokusi është i përqendruar aty. E drejta e fjalës nuk i mohohet askujt, është një e drejt e fituar që në 1990-ën. Gjithkush ka të drejtën e tij të flasë, por po flasim për një çështje tjetër. Sa i përket dëgjimit të opozitës, dora mbetet e shtrirë, po kjo bëhet vetëm nëpër institucione. Ne flasim për dialog në çdo kohë deri sa ka vend për zëra të arsyeshëm dhe opozita jonë do të kthehet në rrugën e Zotit. Ata kanë vetëm një kërkesë, të ikë Edi Rama dhe te kolltuku të ulet Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, por këtë nuk ia plotësojmë dot. Keqardhje e madhe për një opozitë që u nis për të marrë pushtetin në tavolinë dhe sot përfundoi në OJQ. Ajo që bëri sot PD dhe LSI, ishte një tryezë që bëjnë vetëm OJQ-të dhe japin mend”, tha Peza.

Më tej, ai komentoi edhe Bindjen Demokratike, nga ku e krahasoi Astrit Patozin me Sali Berishën. “Është një parti e lindur nga Sali Berisha. Astrit Patozi është Sali Berisha që do të hyjë në zgjedhje. PD është Lulzim Basha që nuk do të hyjë në zgjedhje”, tha Peza.