Protesta e opozitës, Basha: Jemi shumica e re, krimi nuk do t’i diktojë zgjedhjet

20:00 – Mbyllet protesta e opozitës realizuar këtë të enjte duke bllokuar akse rrugore kombëtare në 12 qarqe të vendit. Ndryshe nga një javë më parë, rrugët qëndruan të bllokuara për 2 orë, ku nuk munguan edhe momentet e tensionit, si një përleshje mes protestuesve dhe policisë në Fier, ku edhe u dogjën goma makinash.

Në Durrës pati përleshje mes protestuesve dhe drejtuesve të ambulancave, duke i lënë të kalonin edhe pse i akuzonin se nuk kishin të sëmurë, por ishin aty për të provokuar.

Nga Elbasani, ku ndodhej këtë radhë, kreu i PD, Lulzim Basha tha se kjo sakrificë kishte transformuar Shqipërinë në mënyrë themelore. “Shqiptarët e bashkuar rreth opozitës janë maxhoranca e re politike e morale në vend. Ju jap fjalën se jemi bashkë jo vetëm për rotacion politik, por për t’i dhënë fund tranzicionit të tejzgjatur, por për të bërë Shqipërinë si gjithë Europa.

Kreu i PD pati edhe një mesazh për ndërkombëtarët. “Sot ju drejtohem miqve tanë Europianë dhe ju them, mos riktheni vizat për shqiptarët, ne do t’ia heqim vizën Edi Ramës dhe do ta çlirojmë Shqipërinë nga krimi dhe korrupsioni”, tha ai. “Më 30 qershor, nuk do të lejojmë krimit të diktojë zgjedhjet në Shqipëri. Zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë dhe nuk do të ketë. Largimi i tij është vetëm çështje kohe. Ndaj ju bëj thirrje ta vazhdojmë ditë për ditë çështjen tonë. Nuk ka kauzë më të drejtë se sa kjo”.

19:44 – Basha: Mos na hiqni vizat, ne do t’i heqim vizën Ramës

Në fjalën e tij para protestuesve të mbledhur në Elbasan, duke i falënderuar për pjesëmarrjen, kreu i Partisë Demokratike shprehu mirënjohjen ndaj tyre dhe drejtuesve të mjeteve të cilët sipas tij i janë bashkuar protestës.

19:24 – Në Fier protestuesit i kanë vënë flakën gomave të makinave, në urën e Mbrostarit, ndërsa nuk kanë munguar konfrontimet me ambulancat që kanë tentuar të kalojnë, por që më pas janë lejuar ta bëjnë këtë.

19:20 – Ambulanca kalon mes turmës, por pas “kontrollit”

Momente tensioni në Durrës, ku një ambulancë nuk është lejuar të kalojë fillimisht, pasi sipas protestuesve ishte bosh dhe ishte dërguar për të tensionuar situatën. Disa prej protestuesve u konfrontuan edhe me shoferin e mjetit, duke i thyer edhe xhamin. Por në fund e kanë lejuar të kalojë.

19:00 – Noka: Burg për protestuesit? Rama do të përfundojë vetë aty

Flamur Noka, ish-deputet i Partisë Demokratike, i pranishëm në protestën e Shkodrës, tha se tashmë opozita dhe populli janë në fazën e përshkallëzimit të aksionit opozitar, me qëllimin e vetëm largimin e Edi Ramës si e keqja e këtij vendi.

18:53 – Ndërsa në Vlorë dhe në pjesën më të madhe të qyteteve protesta e opozitës vazhdon e qetë. Në Durrës dy ambulanca janë bllokuar dhe nuk po lejohen të kalojnë për disa minuta. Krahasuar me një javë më parë, numri i protestu4esve është më i madh, ndërsa numri i makinave të bllokuar është thuajse zero. Nuk janë vetëm qytetarë të Durrësit që kanë bllokuar kalimin, por edhe nga Kavaja dhe Rrogozhina.

18:49 – Paloka: Shqiptarët mos të ulin kokën, sakrificë e vogël për të shmangur të “keqen e madhe”

18:25 – Te sheshi “Shqiponja” në kryeqytet, po hidhen lëndë plasëse dhe tymuese në vazhdimësi, por nuk ka përshkallëzim të situatës dhe as konfrontime me policinë. Kjo e fundit kishte bëri devijimin e automjeteve para nisjes së grumbullimit të protestuesve, duke bërë që të mos krijohen shumë radhë në të gjitha rrugët.

18:14 – Në Fier, protestuesit janë konfrontuar me policinë, duke u shtyrë. Të gjithë protestuesit janë përpjekur të përparojnë drejt urës së Mbrostarit, por në përplasje me policinë e shtetit, ata nuk u rikthyen në vendin ku ishin pozicionuar fillimisht.

18:07 – Në Fier, ku është bllokuar Ura e Mbrostarit, protestuesit kanë lejuar kalimin e dy ambulancave të cilat kanë kërkuar të kalojnë përmes turmës. Javën e kaluar, ka pasur gjithashtu një fluks ambulancash, madje disa prej tyre nuk janë lejuar të kalojnë, me pretendimin se nuk po transportonin të sëmurë, por ishin aty për të provokuar protestuesit.

18:00Pampuri: Do të ketë përshkallëzim, do të shtohen orët e bllokimit të rrugëve

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Oriola Pampuri, në një prononcim për A2 CNN, tha se orët e bllokimit të rrugëve do të zgjaten nga protesta në protestë, deri në largimin e Kryeministrit Edi Rama nga detyra. “Kemi mirëkuptimin e qytetarëve, pasi ata janë vetë këtu. Edhe ata që kanë mbetur të bllokuar në makinë kanë të njëjtën kauzë me ata që qëndrojnë në rrugë”, tha ajo. “Sigurisht që do të ketë përshkallëzim. Nga kjava në javë. Sigurisht qytetarët janë të gatshëm të qëndrojnë deri në fund, largimin e Edi Ramës dhe sigurimin e zgjedhjeve të lira”.

17:55 – Ka nisur protesta e opozitës me bllokimin e sheshit “Shqiponja” në kryeqytet, ku disa qindra njerëz të mbështetur nga deputetë të opozitës janë mbledhur për herë të dytë, për të organizuar ato që konsiderohen si protesta rajonale, në pritje të protestës kombëtare që do të zhvillohet më 11 maj para Kryeministrisë.

Në Elbasan, protestuesit kanë mbërritur që prej orës 17:00, një orë para orarit zyrtar, ndërsa me protestuesit është bashkuar edhe kreu i PD, Lulzim Basha.

Lista e rrugëve të bllokuara

Qarku Shkodër – Kryqëzimi i rrugës në Kryebushat (ku ndahet rruga për në Vaun e Dejës)

Qarku Kukës –  Ura e Drinit në hyrje të Rrugës Kombit

Qarku Lezhë – Mbikalimi Milot   

Qarku Dibër – Ura në kryqëzimin Burrel – Rrëshen- Klos 

Qarku Durrës – Plepa, në hyrje të Autostradës

Qarku Elbasan – Mbikalimi Bradashesh 

Qarku Korçë – Rruga nacionale në hyrje të Korçës 

Qarku Fier – Rruga nacionale, Ura Mbrostar

Qarku Vlorë – Hyrje e superstradës Vlorë – Levan

Qarku Berat – Ura Vajgurore dhe Dalje Beratit, Aksi Berat – Ura Vajgurore 

Qarku Gjirokastër – Kryqëzim i rrugës Përmet – Tepelenë – Gjirokastër

Qarku Tiranë – Rrethrrotullimi “Shqiponja”