Rama: Lajmi për mos hapjen e negociatave, dashakeqës

Nga mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Kryeministri Rama reagoi në lidhje me Samitin e Berlinit.

Kryeministri u shpreh se Samiti nuk kishte fare lidhje me integrimin europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri tha se tema e samiti ishte bashkëpunimi rajonal dhe një pikë e veçantë ishte dialogu Kosovë-Serbi.

“Samiti nuk kishte asnjë lidhje me negociatat e Shqipërisë apo të Maqedonisë së Veriut. Nuk kishte asnjë samit mbi çështjen e integrimit europian. Nuk kishte asnjë fjalë për temën e zgjerimit të BE. Tema e samiti ishte bashkëpunimi rajonal dhe një pikë e veçantë ishte dialogu Kosovë-Serbi. Para samitit, Merkel kishte dy takime bilaterale me mua dhe Zaev, ku u fol lidhur me çështjen e çeljes së negociatave për anëtarësim. Por si dhe herët e tjera më përpara, unë nuk shkova për t’u njohur me vendimin e Gjermanisë për çeljen e negociatave dhe kurrë kancelarja nuk e thotë fjalën e fundit të parën. Gramafonat dhe filxhanët e Tiranës. Është e shëmtuar e turpshme. Besoj se nuk ka shqiptar që nuk e kupton që vendimmarrjet e BE për rajonin tonë, përfshirë edhe Shqipërinë, nuk lidhen vetëm me sa bëjmë dhe çfarë bëjmë ne, por po aq, madje çdo ditë edhe më shumë, me çfarë ndodh me politikën e brendshme të disa vendeve të kërcënuara nga rritja e partive antieuropiane. Çfarë duhet të bëjë për shembull Kosova për liberalizimin e vizave? Ky është shembulli më spektakolar që askush nuk i thotë dot më nuk ke mbushur kriteret, por nuk futet fare në diskutim sepse disa qeveri i frikësohen disa forcave antieuropiane në vendet e tyre nëse i japin Kosovës atë që i takon”.

Rama tha se sot Shqipëria ka marrëdhëniet më të mira të respektit dhe të miqësisë me Gjermaninë dhe me Francën. “Kam shumë besim që nuk do të na e mbyllin derën e asaj paradhome këtë vit”, tha Rama.