Sëmundja e hipertensionit, nga kequshqyerja dhe duhanpirja preken dhe të rinjtë

Hipertensioni nuk është më sëmundja e moshës së tretë. I njohur ndryshe si vrasësi i shoqërive moderne ai ka filluar të prekë edhe të rinjtë. 11% e adoleshenteve në vendin tonë vuajnë nga hipertensioni ndërsa pas të 20-ve shfaqin komplikacione deri dhe infarkte.

Alarmi vjen nga mjekët të cilët tregojnë se si kequshqyerja dhe duhanpirja në moshë të hershme po rrit sëmundshmërisë tek të rinjtë.

“Bën çudi rritja e rasteve gjatë adoleshencës. Nuk konsumojnë fruta, fëmijët ulen vetëm me celularë dhe lojëra elektronike, dhe nuk bëjnë aktivitet fizik. Një nga faktorët kryesorë është mosha e ulët e konsumimit të duhanit”, thotë mjekja Sonila Muçaj.   

Por vetë të rinjtë madje dhe fëmijët pranojnë se ushqimet jo të shëndetshme janë pjesë e përditshmërisë së tyre.

Disa pranojnë se hanë sufllaqe përditë, “se ashtu jemi mësuar”, lëngut të shtrydhur i preferojnë pijet me gaz, dhe pyetjes “mes një fruti dhe një sufllaqe çfarë do të zgjidhje” përgjigjen pa faj, “patate me ketchup”.

Mjeket dhe ekspertet e shëndetit publik apelojnë për më shumë kontroll ndaj fëmijëve.

Nëse nuk niset me kontrollin e ushqimit dhe shtimin e aktivitetit fizik, nesër do të ketë më shumë pacientë që vuajnë nga zemra, nga veshkat dhe  goditjet në tru nga komplikacionet që shkakton hipertensioni.