Zgjedhjet e 30 qershorit, PS ka një kusht për kandidatët

Këtë të enjte, Partia Socialiste zhvilloi me dyer të mbyllura mbledhjen e radhës së grupit. Tema kryesore ka qenë pjesëmarrja në zgjedhjet e 30 qershorit ku do të garohet për 61 bashki.

Sipas burimeve të A2 CNN, është vendosur që Asambleja e PS do të zhvillohet më 10 maj, ku edhe do të prezantohen kandidatët që do të garojnë në zgjedhje. Kryeministri Rama ka bërë të qartë që PS do të zgjedhë vetëm kandidatët më të mirë dhe me potencialin më të lartë për të fituar, si dhe ka theksuar që nuk duhet të ketë lidhje nepotike mes kandidatëve për kryetar bashkie dhe atyre për anëtarë të këshillave bashkiake.

Në daljet e tij publike javët e fundit, Rama gjithmonë ka këmbëngulur që Partia Socialiste do të rifitojë të gjitha bashkitë, të cilat i administron prej vitit 2015, madje do të marrë edhe më tepër, duke u shprehur i sigurt për fitimin e Bashkisë së Kukësit, ku garon Safet Gjici, por edhe atë të Lezhës, ku garon Pjerin Ndreu.

Ndërkohë, mësohet që të gjithë deputetët që do të garojnë për zgjedhjet vendore, do ta dorëzojnë mandatin më 13 maj, kur është edhe limiti i afateve ligjore për ta bërë këtë veprim.

Shkarkoni aplikacionin e A2