Ndryshimet në kodin penal, 5 vite burg për dhunën në stadiume

Paketa e re ligjore për ndryshimet në kodin penal, e propozuar nga shumica, parashikon masa dhe rritje të marzhit të dënimit për disa kategori veprash penale.

Masat më të ashpra parashikohen në legjislacionin sportiv, por edhe ndërhyrjet për të dekriminalizuar mjekimin e gabuar. Sipas ndryshimeve të propozuara pas nenit 274 të kodit penal, i cili flet për prishje të rendit dhe qetësisë publike, pritet të shtohen dhe 274a dhe 274b, të cilat flasin posaçërisht për aktivitete sportive.

Kështu, dhuna sportive në ambientet e stadiumeve do të dënohet deri në 5 vite, ndërsa hedhja e sendeve të forta apo e flakadanëve ne stadium, dënohet deri në 3 vite burgim. Ndryshimet prekin dhe ndeshjet ndërkombëtare. Kur në të tilla aktivitete në fushë futen persona të paautorizuar, atëherë marzhi i dënimit është 5 vite heqje lirie.

Gjithashtu kodit penal pritet t’i ndryshoje dhe përmbajtja e goditjes por edhe kanosjes për shkak të detyrës. Masat e reja mbi goditjen e efektiveve të policisë por edhe kanosjen e tyre si dhe funksionarëve publikë, do të shkojnë deri në 5 vite heqje lirie nga dy që ishin më parë. Nga ana tjetër, Qeveria kërkon të dekriminalizojë mjekimin e gabuar.

Nëse në kodin penal parashikohet një marzh dënimi deri ne 5 vite me ndryshimet e reja te propozuara kemi ulje të dënimit me 1 vit. Gjithashtu masa të lehta janë parashikuar dhe kur mjekimi i gabuar shkakton dëmtime të parikuperueshme në shëndet. Një tjetër kategori është dhe ajo e mbrojtjes së konsumatorit. Tashmë kodi penal do të jetë më i zgjeruar për shkeljet ligjore mbi sigurinë ushqimore.