Nishani: Ka një betejë mes socialistëve dhe rilindësve, Rama të tërhiqet

Ish-Presidenti i Republikës, kreu i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, tha në një intervistë për A2 CNN, se 10 pikat e paraqitura nga opozita si detyrat e Qeverisë Tranzitore që kërkohet për të çuar vendin në zgjedhje janë vetëm pikënisja e dialogut, për të garantuar zgjedhje të lira në Shqipëri.

“Ka disa zgjedhje rresht ku vullneti i mbrapshtë politik i Kryeministrit kë bërë të mundur deformimin e gjithë procesit dhe mekanizmave”, tha Nishani. “Largimi i tij i hap rrugën konturimit të një qeverisje të re që do të elaborojë ato 10 pika, por edhe të tjera që mund të sjellë tryeza e partive politike, në mënyrë që të garantohet një ambient normal ku partitë të garojnë përballë qytetarëve shqiptare me vullnet dhe jo me dhunë”.

Refuzimi i dialogut nga ana e shumicës që drejton vendin, sipas Nishanit nuk është qëndrimi i të gjithë socialistëve, pasi sheh mes tyre një konflikt të brendshëm. “Zotëria që është në krye të Partisë Socialiste të qëndrojë aty për sa kohë që forumet do ta shohin të arsyeshme. Ka një betejë brenda PS, mes socialistëve dhe rilindësve, por kjo është çështje e tyre dhe le ta zgjidhin vetë. Shqetësimi i Partisë Demokratike dhe opozitës, bazuar mbi fakte dhe prova, ka të bëjë me faktin që personi që është në krye të Qeverisë ka përdorur pushtetin që i jep Qeveria për të deformuar vullnetin qytetar”, tha Nishani. “Duhet të largohet nga ai pozicion pasi e keqpërdor dhe si kryetar i Partisë Socialiste të ulet në tryezë me partitë e tjera politike”.

Djegia e mandateve

Për ish-Presidentin, vendimet politike të opozitës, si djegia e mandateve, kanë ardhur si një përgjigje ndaj reagimit qytetar dhe ndaj zhvillimeve politike në vend. “Pa dyshim që beteja politike zhvillohet në institucione, por duhet të garantohen të drejtat. Në momentin që këto asgjësohen, që do të thotë opozitës i humbet e drejta e ushtrimit të pushtetit të saj, atëherë opozita nuk ka më hapësirë brenda këtyre institucioneve”, thotë ai, duke hedhur poshtë idenë se PD dhe aleatët e saj rrezikojnë të shkrihen si rezultat i këtij vendimi. “Vendimi politik ka ardhur në masën 90% si rezultat i kërkesës së qytetarëve shqiptarë, popullit opozitar. Rritja e kurbës së aksionit opozitar kanë gjetur mbështetje te qytetarët, kjo është e verifikueshme lehtësisht”.

Sa i përket propozimeve për ashpërsim të kodit penal dhe kërcënimeve për futjen në burg të protestuesve që bllokojnë akset rrugore, Nishani mendon se nuk ka vend për panik. “Shqipëria ka një histori me goditjen e opozitës deri në asgjësimin e saj. Por ajo kohë nuk kthehet më. Këto veprime nuk e cenojnë aksionin e opozitës, por tregojnë nivelin e degradimit të mendimit dhe artikulimit të qeverisë, atij që është në krye në fakt”, thotë ai.

Roli i Presidentit

Në këtë moment krize, Presidenti Meta ka ndërhyrë duke u vetë ofruar për të ndërgjegjësuar palët ndërsa i është kërkuar edhe të shërbejë si ndërmjetës për të ulur kundërshtarët në tavolinë. Megjithatë, nuk kanë munguar as akuzat ndaj tij. “Retorika kundër Presidentit është e motivuar politikisht dhe nuk mbështeten në asnjë logjikë ligjore apo kushtetuese, dhe as logjikë politike të maxhorancës aktuale. Nuk është hera e parë që Presidenti sulmohet, edhe unë kam një histori të trishtueshme me këtë. Presidenti mund të vijë nga një e kaluar politike, por është Kushtetuta që rregullon sjelljen e tij në detyrë. Mendoj që Presidenti po ushtron kompetencën e tij, është ofruar i gatshëm, dhe unë jam pro përfshirjes së tij, por së pari duhet të ketë vullnet të palëve politike, tha Nishani.

Shkarkoni aplikacionin e A2