Përplasjet pas Berlinit / Rama: Ramushi gënjeu, Haradinaj: thashë të vërtetën

Qëllimi ishte të promovonte stabilitet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por Samiti i Berlinit i trazoi edhe më tej ujërat duke përplasur madje edhe kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës. Edi Rama nuk e kapërdiu dot deklaratën e Ramush Hardinajt pas bisedimeve me Merkel e Macron, se Presidenti Hashim Thaçi dhe Kryeministri shqiptar i kishin bërë më shumë presion se ndërkombëtarët për heqjen e tarifave ndaj produkte serbe.

Sipas tij, Haradinaj gënjen, edhe pse në statusin e tij të gjatë në Facebook, Edi Rama thotë: “Si rregull udhëheqësit nuk i komentojnë në publik bisedat mes tyre e sidomos ato informale, aq me tepër pa rënë dakord paraprakisht dhe lëre pastaj t’i shtrembërojnë, duke gënjyer për të dalë “burra të mirë” para popullit të tyre, si të ishin duke shitur mish në pazar. Më vjen sinqerisht keq që miku im Ramush, nuk e ka mësuar ende këtë rregull kaq të thjeshtë, megjithëse normalisht ky s’është as ndonjë rregull udhëheqësish në fakt, po një norme elementare mirëkuptimi njerëzor. Askush s’i ka bërë Ramushit presion në Berlin për të hequr taksën. Une jo e jo. Madje askush as ia ka kërkuar hiç që ta heqë taksen! Une jo e jo. Përkundrazi”.

Megjithatë më poshtë në statusin e tij të gjatë në Facebook, Kryeministri pranon se i kishte kërkuar shefit të ekzekutivit të Kosovës të dëgjonte Merkel e Macron për pezullimin disa muaj të taksës, me qëllim liberalizimin. Përgjigja e Kryeministrit të Kosovës erdhi gjatë një konference për shtyp të enjten, kur pa përmendur emrin e Ramës tha se ishte detyra e tij të tregonte të vërtetën pavarësisht nëse i pëlqente dikujt ose jo.

Nuk është hera e parë që dy kryeministrat përfshihen në kundërsulme publike. Në 2018-tën, Rama tha se mbajtja peng e demarkacionit ishte shpikje e Ramush Haradinaj, ndërsa ky i fundit replikoi duke i kërkuar homologut të merrej me shpikjet e veta brenda Shqipërisë.

Shkarkoni aplikacionin e A2