Ronaldo i “uritur” për gola, zbeh ëndrrën e Torinos

Juventusi po i dhuronte bashkëqytetarëve të Torinos ëndrrën konkrete e kualifikimit në Champions, por kur ke Cristiano Ronaldon në ekip, nuk mund të relaksohesh asnjë moment në fushë.

Kampionët e Italisë, që nga momenti kur kanë fituar kampionatin e tetë radhazi po luajnë dukshëm me “marshin e tretë” ndeshjet e mbetura. Kësaj gjendje psikologjik i janë shtuar edhe një seri dëmtimesh (i fundit ai i Emre Can), që e bënë derbin e sotëm me Torinon një sfidë shumë më të vështirë sesa duhet të jetë. Dhe goli i Torinos në minutën e 18-të e tregon më së miri, ku një pasim i shkujdesur i Cancelo dhe një kontrast jo i bindur i Pjanic  i japin dritën jeshile serbit Lukic që shënon.

Juventus tenton të ndryshojë fatin e lojës dhe merr kontrollin e mesfushës, por mbrojtja e Torinos, arma që i ka lejuar një sezon fantastik djemve të teknikut Mazzarri, reziston sulmeve të Ronaldos dhe të riut Kean, të vetmit që duket sikur kanë dëshirë reale të barazojnë.

Dhe kur dëshira është e një fenomeni si Cristiano Ronaldo, ajo konkretizohet. Kur ndeshja po përfundonte për t’i dhuruar një ëndërr evropiane Torinos dhe ndoshta polemika nga ekipet e tjera, portugezi konkretizon një kros të Spinozzolës dhe mund portierin Sirigu për një 1-1 final që zbeh entuziazmin e Torinos.  

Shkarkoni aplikacionin e A2