Vrau bashkëshorten, autori alibi në Gjykatë: Më tradhtonte

Katër ditë pas krimit në fshatin Vagalat të Memaliajt, Skënder Hoxha, 63-vjeçari i akuzuar për vrasjen me sëpatë të bashkëshortes së tij, Antoneta Hoxha, teksa ajo flinte në shtratin martesor, u shfaq i qetë në Gjykatën për Krimet e Rënda.

Në sallën e gjyqit, 63-vjeçari motivoi krimin me dyshime të forta për tradhti nga e shoqja. “Dyshoja se më tradhtonte. Mbrëmjen e ngjarjes, debatuam ashpër para se të flinim”, ka rrëfyer Hoxha gjatë për Gjykatën, momentet para se të qëllonte të shoqen.

Sipas prokurorit, pas krimit Skënder Hoxha ka lënë sëpatën në një fuçi me ujë pranë çezmës. Më tej ai ka vënë në dijeni kryeplakun e fshatit, i cili pasi ka shkuar në vendin e ngjarjes, ka vënë në dijeni edhe policinë për vrasjen.

Pas ngjarjes, hetuesit kanë marrë edhe deklarimet e një banori të fshatit, i cilësuar nga Skënder Hoxha si partneri i jashtëligjshëm i së shoqes. Ai ka mohuar me forcë këto pretendimet, duke thënë se me familjen Hoxha kishin marrëdhënie korrekte dhe hyrje-dalje familjare si bashkëfshatarë.

Avokati i Hoxhës i kërkoi gjykatës caktimin e një mase me afat, me qëllim kryerjen e një akt-ekspertimi mendor ndaj klientit të tij. Pasi u njoh me pretendimet e palëve, Gjykata për Krimet e Rënda caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për Skënder Hoxhën, për akuzën e “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”. Sipas ligjeve në fuqi, 63-vjeçari rrezikon një dënim deri në burgim përjetë, ndërsa nuk ka të drejtë për gjykim të shkurtuar.