Amsterdami pa makina, nga viti 2030 do të lejohen vetëm ato elektrike

Amsterdami po planifikon të ndalojë përdorimin e të gjitha makinave përveç atyre elektrike deri në 2030-n, në një lëvizje që sipas zyrtarëve, do të zgjasë me tre muaj jetëgjatësinë e vendasve.

Nga viti i ardhshëm, makinat me naftë të prodhuara para 2005-sës, do të ndalohen nga zona qendrore e qytetit, e kufizime të tjera do të nisin të aplikohen gradualisht deri në zbatimin e plotë të planit.

Rreth 4100 automjete do të preken nga një masë e tillë. Sipas të dhënave, në 9 rrugë të Amsterdamit thyhen standardet e ndotjes të Bashkimit Europian.

“Qyteti do të ketë nevojë për 16 mijë deri në 23 mijë stacioni karikimi deri në 2025, në mënyrë që projekti të ketë sukses”, tha Sharon Dijksma, anëtar i këshillit bashkiak.

Aktualisht në Amsterdam ekzistojnë 3 mijë stacione karikimi për makinat elektrike. Shoqata që mbron interesat e prodhuesve në industrinë e automobilave, i cilësoi planet si qesharake dhe të vështira për t’u vënë në jetë. Gjithashtu, pjesëtarë të ndryshëm të Parlamentit janë shprehur kritikë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN