“Çmendet” Reali, 540 milionë euro për pesë blerje në merkato

Pas edicionit të dështuar, te Reali ka nisur të marrë formë konkrete revolucioni veror. Në bashkëpunim me presidentin Perez, trajneri Zidane ka evidentuar lojtarët që dëshiron të ketë në skuadër.

Bëhet fjalë për futbollistë, vlera e të cilëve në merkato përllogaritet në afro 100 milionë euro. Mes emrave që përfliten prej javësh, duke nisur nga Paul Pogba dhe Eden Hazard, për të vijuar me Tanguy Ndombele dhe Luka Jovic, ka edhe talente të rinj.

Mes tyre është kapiteni i Ajax, De Ligt, një prej zbulimeve të këtij sezoni. Christian Eriksen dhe Adrien Rabiot pritet të transferohen me parametër zero. Afrime tw reja do të ndryshonin rrënjësisht formacionin titullar të Zidane.

Nëse të gjithë ata do të transferohen në “Bernabeu”, duke i’u shtuar edhe investimit të realizuar për Militao, Reali i Madridit do të shpenzonte jo pak, por 540 milionë euro në merkaton e verës. Një shifër e jashtëzakonshme, për të kthyer skuadrën “Galaktike”.

Ky sezon tregoi se revolucioni është i pashmangshëm, mbi të gjitha pas largimit të Cristiano Ronaldos. Gatishmëria për të shpenzuar më tepër se gjysmë miliardi euro, do të bënte që Los Blancos të shpenzonin vetëm gjatë kësaj vere më tepër sesa kanë investuar gjatë 5 viteve të fundit, për 23 blerje të realizuara.

Për të garantuar fondet e nevojshme për shpenzime të tilla, Florentino Perez do të shfrytëzojë marrëveshjen e re të sponsorizimit me Adidas, nga e cila klubi do të përfitojë rreth 100 milionë euro në vit. Gjithashtu, Reali pret të mbushë arkat duke shitur emra si Gareth Bale, James e Kovacic.

Shkarkoni aplikacionin e A2