Flet ish-Kryeprokurori, Arben Rakipi: Drejtësia e ndikuar nga krimi dhe politika

Ndërhyrjet në Kodin Penal dhe ashpërsimi i dënimeve për ata që protestojnë dhe bllokojnë rrugët në akset nacionale konsiderohen si të papërfillshme përballë situatës se kriminalitetit në vend.

Në një intervistë për A2CNN, Arben Rakipi deklaron se nuk është koha për këtë ndërhyrje.

“Nuk mund të kërkosh në një gjendje emergjente kriminaliteti, të bësh vepra penale gjëra të parëndësishme. Duhet bërë me mend në kokë dhe duke i vlerësuar të gjitha situatat”, shprehet Rakipi.

Ish-kryeprokurori i përgjithshëm deklaron se politika shqiptare është pjesë e krimit të organizuar dhe se Prokuroria, është i vetmi organ shteti që duhet ta ndëshkojë.

“Jo të gjithë janë të prirur të shkelin ligjin. Po marr rastin më të rëndomtë nga fushatat elektorale, mënyra si financohen, kush i financon, si përdoren, si fshihen, e kështu me radhë. Pa hyrë pastaj te mënyrë se si organizohen mitingjet, dhuna që përdoret në mitingje e të tjera që janë vepra penale të kryera. Këto tregojnë një ndërgjegjësim juridik shumë të ulët, i cili nuk justifikohet aspak nga qëllime më të larta. Për rrjedhojë, në syrin tim si jurist, më del konkluzioni që unë nuk njoh strukturë politike të mos ketë kryer krime”, thotë ish-kryeprokurori.

Rakipi prek dhe reformën në drejtësi që, sipas tij, ka problem me karakter penal, për të cilat askush nuk do të flasë.

“Në analizën e përpiluar në atë kohë, e cila u miratua edhe në Kuvendin e Shqipërisë dhe në njëfarë kuptimi përbënte ligj, u thanë disa gjëra që kanë kaluar në heshtje. U tha se sistemi po mbushet me njerëz që kanë paguar para për t’u bërë gjyqtarë e prokurorë. E pakta duhet të fillonte hetimi penal. Dikush nga prokurorët duhet të dilte në mënyrë individuale, nëse i dhimbsej ky sistem, nëse besonte se këtu ka një gjë që duhet verifikuar, duhet të fillonte një hetim penal lidhur me këtë fakt”.

Sot, Arben Rakipi është në gjendje të thotë shumë për ato çfarë ka parë dhe di, por një fakt, sipas tij, është absolut, krimi është rezultat i një Prokurorie të kapur politikisht.

“Prokuroria ka akuza dhe kjo do të thotë, nga pikëpamja praktike, të çosh dikë në gjyq, t’i atribuosh atij një fakt penal, çfarë qëndrimi ka ai ndaj faktit dhe ta veshësh me prova. Pasojat janë shumë të rënda. Janë pasoja të karakterit pasuror, të karakterit të cenimit të lirisë dhe pasoja të karakterit publik sepse mund të evitohesh nga pjesëmarrja në jetën publike. Kështu që, në kuptim figurativ, do të thotë jetë a vdekje”, përfundon Rakipi.