Inter barazon pa gola në Udine, për Champions do të jetë “luftë”

inter 1100x620

Edhe pse Udinese është një ekip që po lufton për mbijetesën në Serie A, barazimi pa gola i Interit mund të quhet një hap fallco i rëndësishëm për djemtë e Luciano Spalletit.

Milanezët krijojnë më shumë dhe mund të kalonin në avantazh qysh në fillim me Lautaro Martinez, por goditja e tij me kokë përfundon në shtyllë.

Udinese ndërkohë është e gjallë dhe krijon probleme në kundërsulm, dhe në fund të pjesës së parë kërkon një penallti për një shtyrje të Brozovic.

Në pjesën e dytë presioni i Interit është më i madh dhe rastet më të shumta. Një deviacion i De Vrij shpëtohet mrekullisht nga portieri Musso, ashtu si dhe një rast në minutën e 87-të për Keita.

Ndeshja mbaron pa gola, dhe pika me siguri i shërben më shumë Udineses, që lë mbrapa me 4 pikë Empolin. Interi ngjitet në kuotën e 63 pikëve dhe sidoqoftë do të mbetet e treta këtë turn, por nuk mund të bëj më asnjë gabim.