Papa në Ballkan, Maqedonia e Veriut gati për vizitën

Shkupi po bëhet gati të mirëpresë Papa Françeskun, i cili do të vizitojë vendin javën e ardhshme pas qëndrimit 2 ditor në Bullgarinë fqinje. Edhe pse katolikët përbëjnë një pakicë të vogël në Maqedoninë e veriut, ku dominojnë ortodoksët e më pas myslimanët, të gjithë po e presin me padurim vizitën e papës.

Banorë nga besime të ndryshme e shohin ngjarjen si shumë të rëndësishme dhe shpresojnë që do të ndihmojë në promovimin e Maqedonisë në sytë e botës.

“Papa është lideri i komunitetit më të madh fetar në botë. Vizita e tij ka rëndësi të madh për vendin tonë, pasi do të na mundësojë te promovohemi. Është një ngjarje e madhe”, thotë një qytetar.

“Ai është një personazh mjaft i respektuar në botë, kështu vizita e tij është shumë e rëndësishme”, u shpreh një tjetër.

Një prej qëllimeve të udhëtimit në Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut është përmirësimi i raporteve me kishat ortodokse si pjese e nismës së Vatikanit për unitet mes degëve lindore e perëndimore të Krishtërimit.

Por çështja është delikate pasi kishat ortodokse në të dyja vendet po përballen me probleme të tyre të brendshme çka ka ndikuar në marrëdhëniet me katolikët. Bota ortodokse e konsideron kishën e Maqedonisë së Veriut si të përçarë, që prej kur u vetëshpall si autoqefale apo e pavarur nga kisha ortodokse serbe.

Të martën, Papa do të qëndrojë në Shkup, vendlindje e “Nënë Terezës”. Ai pritet të vizitojë memorialin e saj dhe të takojë njerëz të ndihmuar nga urdhri i murgeshave, i themeluar nga Shenjtorja.