Vizioni i Bashës: Lëvizje kombëtare për të dalë nga tranzicioni

Përballë demokratëve të Lezhës, Lulzim Basha tregoi se nuk ka nisur një fushatë zgjedhore, por një lëvizje kombëtare për t’i dhënë fund tranzicionit.

“Çdo shqiptar duhet ta dijë se në fund të kësaj beteje për jetë a vdekje për demokraci dhe liri, nuk ka thjesht dhe vetëm një rotacion politik, por një program transformues ekonomik dhe shoqëror”, u shpreh Basha.

Kryedemokrati pohoi se ka një vizion të qartë se çfarë i duhet vendit, duke nisur nga politikat ekonomike e fiskale për t’i dhënë oksigjen sipërmarrjes.

“Çdo sipërmarrje duhet ta dijë se në fund të kësaj beteje e pret një qeveri dhe një kryeministër që do të vendosë taksat më të ulëta, çmimin më të ulët të energjisë, çmimin më të ulët të naftës, në funksion të një prioriteti absolut, të Partisë Demokratike dhe demokratëve shqiptarë, punësimi, punësimi… punësimi”.

Pjesë e vizionit të tij, tha Basha, janë edhe pensionistët.

“Nuk ka asnjë milimetër tërheqje për programin tonë nga pensioni minimal 250 mijë lekë të vjetra në muaj, si produkt i qeverisjes tonë në mandatin e saj të parë. Po, kjo mund të bëhet, kjo duhet të bëhet dhe me PD në pushtet kjo do të bëhet për çdo pensioniste dhe çdo pensionist shqiptar”, tha Basha.

Po ku do t’i gjejë paratë për të realizuar këto programe?

“Paratë që vjedhin oligarkët do t’ua marrim. Kontratat do të anulohen, pasuritë e tyre të vëna në mënyrë të jashtëligjshme do të konfiskohen dhe t’u kthehen taksapaguesve shqiptarë”, u shpreh kreu demokrat.

Demokratët nuk do t’ia dorëzojnë krimit Bashkinë e Lezhës tha Basha, ndërsa dorëzoi kartat e anëtarësimit te disa të rinj që iu bashkuan PD-së.