Betejë me raketa mes Palestinës dhe Izraelit, viktima nga të dy palët

Izraeli dhe militantët në Rripin e Gazës intensifikojnë sulmet ndaj njëri-tjetrit, në shkëmbimin më të ashpër të viteve të fundit. Militantët palestinezë lëshuan mbi 450 raketa në territorin e Izraelit gjatë fundjavës. Shumë prej tyre janë shpërthyer në ajër.

Bilanci flet për 3 izraelitë të vrarë. Moshe Agadi, një 58-vjeçar baba i katër fëmijëve, u godit në gjoks nga një predhë gjatë goditjeve të militantëve të Hamas në qytetin kufitar, Ashkelon, duke u bërë kështu i pari izraelit që bie viktimë e konfliktit në pesë vitet e fundit.

Në sajë të kundërpërgjigjes së ushtrisë izraelite kanë mbetur të vrarë tetë militantë palestinezë, ndërsa viktima kanë mbetur edhe një grua shtatzënë dhe djali i saj njëvjeçar, por sipas Izraelit këto të fundit kanë humbur jetën për shkak të goditjeve të gabuara nga ana e militantëve të Hamas.

Ushtria e Izraelit njoftoi se ka goditur 220 shënjestra në Rripin e Gazës dhe paralajmëron për sulme të tjera masive. Edhe palestinezët theksojnë se do të vijojnë bombardimet.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN