Dëshmorët e policisë, Lleshaj: 224 të rënë, zhvillim politiko-shoqëror jo normal – A2

Dëshmorët e policisë, Lleshaj: 224 të rënë, zhvillim politiko-shoqëror jo normal

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit nderuan kujtimin e qindra policëve të rënë dëshmorë në luftën kundër krimit dhe në mbrojtje të sigurisë publike.

Nga Akademia e Sigurisë, para familjarëve të policëve të vrarë në krye të detyrës, ministri Lleshaj, tha se numri prej 224 të rënësh në harkun e tre dekadave është dëshmi e dy realiteteve.

“Nga njëra anë, ky numër tregon një zhvillim politiko-shoqëror jo normal, i cili ka prodhuar një situatë kriminale të pazakontë edhe në kontekstin historik të vendit tonë; Nga ana tjetër, numri i lartë i dëshmorëve nga radhët e Policisë së Shtetit tregon se përballja me krimin ka qenë e ashpër, e vështirë por edhe heroike”, u shpreh Lleshaj.

Ministri i Brendshëm garantoi përkujdesje shtetërorë për familjarët e policëve të vrarë. Ai theksoi se ndryshimet e pritshme të Kodit Penal do t’i ashpërsojnë më tej dënimet ndaj atyre që tentojnë të cenojnë punonjësit e Policisë së Shtetit në krye të detyrës.

Shkarkoni aplikacionin e A2