Dita e Dëshmorëve në Kosovë, Thaçi e Haradinaj “mesazh” Serbisë dhe ndërkombëtarëve

Screenshot 2 1 1100x620

13500 shqiptarë kanë mbetur të vrarë nga Serbia në të gjithë Kosovën. Kështu tha Presidenti Hashim Thaçi gjatë fjalës së tij në një ceremoni për Ditën e Dëshmorëve, ku u përkujtuan në Pejë 183 dëshmorë të rënë gjatë luftës së Kosovës.

Sipas Thaçit, pavarësisht se kanë kaluar 20 vjet nga lufta, drejtësia e ende nuk e ka thënë fjalën e vet. “13 500 civilë janë vrarë, janë kryer rreth 400 masakra anekënd Kosovës, rreth 20 000 dhunime kundër grave shqiptare, e që drejtësia ndërkombëtare ende nuk e ka thënë fjalën e vet, apo kemi të bëjmë me një zero drejtësi”, u shpreh Thaçi. “Unë kam besim që Parlamenti i Kosovës në një të ardhme të afërt do ta nxjerrë rezolutën për gjenocidin në Kosovë dhe gjithë kryerësit e krimeve do të ballafaqohen me drejtësinë”.

Drejtësi për gjenocidin serb kërkoi edhe Kryeministri Ramush Haradinaj. Mohimi i krimeve nga ana e Serbisë, sipas tij, duhet të jenë alarm për Europën dhe Shtetet e Bashkuara. “Është i gabuar pozicioni i Serbisë për t’i mohuar krimet, është tepër gabim, nuk shkohet kështu përpara”, tha Haradinaj. “Janë mbi 400 vend masakra në Kosovë, gra, fëmijë e pleq, të gjitha besimeve. Mohimi i krimeve duhet të jetë alarm edhe për Europën dhe Amerikën, ai që i mohon po e bën terrenin t’i bëjnë prapë, nuk guxon bota e qytetëruar, ajo që u ngrit në këmbë e i bombardoi Serbinë t’ia lejojë udhëheqjes së Serbisë t’i mohojë ato krime, është tepër e padrejtë. i bëj thirrje krejt kryeqyteteve të BE-së dhe Uashingtonit zyrtar që të mos lejojmë udhëheqjen e  sotme të Serbisë t’i mohojë krimet. Parlamenti ynë, populli jonë nuk do ta lejojmë kurrë këtë”, tha ai.