Papa në Bullgari: Mos u mbyllni dyert emigrantëve në kufijtë tanë

Papa Françesku gjendet në Sofje, etapa e parë e udhëtimit të tij apostolik në Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut. Ati i shenjtë u prit nga kryeministri Bojko Borisov, me të cilin zhvilloi dhe një takim privat në aeroport.

Kreu i Vatikanit, më pas, udhëtoi për në pallatin presidencial ku u takua dhe me presidentin Rumen Radev. Papa Françesku i bëri thirrje liderëve europianë që të adresojnë pabarazinë dhe numrin e vogël të lindjeve, që krijojnë një “mure akulli” mes shteteve të pasura dhe të varfra në Europë. Sipas Atit të shenjtë, kjo po nxit emigracionin.

“Ju, të cilët e njihni dramën e emigracionit, ju lus që të mos i mbyllni sytë, zemrat dhe duart tuaja. Tradita juaj më e mirë është mirëpritja e atij që iu troket në derë”, tha Papa.

Më tej, Papa tha se ndarjet e reja po çjerrin fytyrën e kontinentit 30 vite pas rënies së komunizmit. Bullgaria, e cila u anëtarësua në BE në vitin 2007, mbetet shteti më i varfër i Unionit. Mbi 2 milionë qytetarë janë larguar nga vendi për në shtete me standarde më të mira jetese në Perëndim të Europës.

Pas vizitës dy ditore në Bullgari, Papa Françesku do të zhvendoset në Maqedoninë e Veriut për vizitën e tij të parë në këtë vend.