Partizani – Tirana, një derbi i zjarrtë, luhen titulli dhe mbijetesa

Dhjetë vjet më parë Tirana fitonte titullin e fundit kampion, të 24-tin në historinë e saj, ndërsa Partizani binte nga kategoria. Dhjetë vjet më vonë, gjërat janë përmbysur. Partizani është thuajse kampion, ndërsa Tirana, pavarësisht fitores së të shtunës kundër Skënderbeut, nuk e ka ende të sigurt mbijetesën.

Të dielën e ardhshme, në javën e 33-të e Kategorisë Superiore, do të zhvillohet derbi Partizani – Tirana, në të cilin “Të Kuqtë” mund të shpallen kampion, për të mbyllur në mënyrën më fantastike sezonin. Një duel që pritet me ankth nga tifozët, sfidë ku rezultati i vetëm i lejuar është fitorja, për një rivalitet që vazhdon në vite.

Përveç faktit se derbi është ndeshja për të treguar supremacinë në kryeqytet, kjo e tanishmja mund të vendosë shumë për sa i takon fateve të dy skuadrave. Partizani ka shansin që me një fitore të mbyllë matematikisht çështjen e titullit, ndërsa Tirana duhet të fitojë, sepse në të kundërt mbijetesa do të ishte seriozisht në dyshim.

Për Ardian Memën, trajnerin e Tiranës, ka ende kohë për të menduar për këtë ndeshje. “E kam thënë shpesh herë që Partizani është me meritën e vet aty ku është, ndeshjet duhen marrë hap pas hapi, nëse del kampion është merita e vet. Por është herët të flasim për derbin, sepse kemi ndeshje në mesjavë dhe do të përgatitemi për ndeshjen e radhës”, thotë Mema.

Edhe pse i duhet vetëm dy pikë për të nisur festën, për Partizanin “shampanja” do të duhet të mbetet edhe pak në akull. “Atëherë kur matematika do të na japë titullin kampion do të festojmë”, thotë zëvendëstrajneri Dritan Mehmeti.

Megjithatë fakti që titulli kaq shumë i pritur mund të vijë në derbi, për më tepër në stadiumin e kundërshtarëve të përjetshëm, është diçka që vlerësohet në kampin e kuq. “E respektojmë kundërshtarin, por në një ndeshje të tillë, besoj se do të jetë bukur nëse shpallemi kampion”, shprehet Mehmeti.