Pendarovski, Presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut: Fitore e të gjithëve, pa dallim etnie

Stevo Pendarovski është Presidenti i ri i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Pas numërimit të 99,12% të fletëvotimeve, kandidati LSDM-së ka fituar 51,71% ose 432 141 vota, ndërsa kandidatja e VMRO-DPMNE Gordana Siljanovska-Davkova ka fituar 44,68% ose 373 382 vota.

Në një konferencë për mediat në Shkup, Pendarovski, u zotua sonte se misioni i tij si shef i ri i vendit është bashkimi i të gjithë qytetarëve në rrugën e anëtarësimit të vendit në NATO dhe Bashkimin Europian.

Kandidati i LSDM vlerësoi si të rregullta zgjedhjet dhe një sukses të madh për të gjithë qytetarët e vendit, përfshirë edhe shqiptarët. “Kjo është fitore e të gjithë qytetarëve, e cila pa dallime etnie janë të bashkuar për të ecur përpara. Sot fituan qytetarët dhe do të jem i përkushtuar për të gjithë. Rezultati i zgjedhjeve presidenciale është një sukses i madh, pasi në këto zgjedhje u sigurua për të ecur përpara dhe fitoi koncepti për të ecur përpara dhe kjo është karta jonë për Europën. Presim nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, pasi e meritojmë”, tha Pendarovski.

Kur ka mbetur shumë pak deri në shpalljen zyrtare të rezultateve, Pendarovski është në epërsi ndaj kandidates nga radhët e VMRO-DPMNE- Gordana Siljanoska-Davkova me 7%.

Ndërkohë, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha se me fitoren e Pendarovskit ka marrë fund regjimi, duke iu referuar kohës sa në pushtet ishte ish-presidenti George Ivanov nga VMRO-DPMNE. “Regjim nuk mund të ketë më në Maqedoni. U mposht politika e ndarjes. Të gjithë funksionarët do t’i shërbejnë popullit”, tha ai.

Ndërsa kandidatja e opozitës, Gordana Siljanovska, në një konferencë për mediat pranoi humbjen dhe konfirmoi shifrat e dhëna nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN