Politika nderon e ndarë dëshmorët, Meta: Reflektim përmes dialogut politik

Edhe këtë 5 Maj, politika përkujton e ndarë Dëshmorët e Atdheut. Në ceremonialin zyrtar ishin fillimisht Presidenti Meta, Kryeministri Rama, kryebashkiaku Veliaj e përfaqësues të mazhorancës ata të cilët zhvilluan homazhet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

Që rreth orës 10:00 të ditës së sotme zyrtarë të shtetit dhe politikës, veteranë dhe të afërm të të rënëve në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare vendosën kurora me lule përpara memorialit “Nënë Shqipëri”, në nderim të të rënëve në luftën anti-fashiste.

Ndërsa, kreu i opozitës, Lulzim Basha, ish-Kryeministri Sali Berisha dhe përfaqësues të Partisë Demokratike i zhvilluan homazhet një orë pas tyre.

Gjithashtu, ata kanë bërë homazhe edhe pranë vendit ku prehet Heroi i Demokracisë, Azem Hajdari si dhe në vendin ku prehen 22 intelektualët e pushkatuar nga regjimi komunist, të akuzuar për hedhjen e bombës në ish ambasadën sovjetike.

Presidenti Ilir Meta i përcolli edhe një mesazh politikës shqiptare. Meta kërkoi reflektim përmes dialogut politik, si e vetmja rrugë që të çon drejt së ardhmes.

“Pikërisht sot është një ditë nderimi për sakrificat e tyre, por edhe një ditë reflektimi për të vendosur në radhë të parë interesant e vendit për të ardhmen e tij europiane, të stabilitetit, përmes dialogut, bashkëpunimit, në mënyrë që ëndrrat e tyre të realizohen plotësisht. Të nderojmë ashtu si duhet kujtimin e atyre që kanë bërë sakrificat më të mëdha, më sublime për të ardhmen e Shqipërisë”, tha Presidenti Meta.