15 vjet burg për cenimin e sigurisë ushqimore

Pas denoncimeve të vazhdueshme nga media për mungesën e sigurisë ushqimore në vend, qeveria vendos të ndërhyjë në Kodin Penal për të ashpërsuar dënimet.

Me 15 vjet burg do të dënohet çdo prodhues, importues dhe tregtar që nxjerr në treg ushqime të rrezikshme për shëndetin, që mashtron me përbërjen e tyre apo i tregton të skaduara.

Gjatë një tryeze me grupet e interesit, Kryeministri Rama prezantoi paketën e masave.

“Deri në 15 vjet burg dhe ajo që është më e rëndësishmja është se do të shoqërohen deri me heqjen përfundimtare të lirisë për t’u marrë me atë lloj aktiviteti edhe mbasi të dalin nga burgu”, u shpreh Edi Rama.

Por Rama sërish fajësoi median, madje kësaj here i cilësoi kriminale denoncimet e bëra në lidhje me mungesën e sigurisë ushqimore në vend.

Por për përfaqësuesit e industrisë ushqimore kjo ndërhyrje nuk jep zgjidhje. Ata kërkuan saktësim për paketën e ndëshkimeve dhe mbi të gjitha reformë të thellë në institucionin autoritetit kombëtar të ushqimit.

Ndryshimet në Kodin Penal për sigurinë ushqimore dhe jo vetëm, do të kalojnë në komisionet përkatëse për diskutim dhe më pas në Parlament. Por mazhorancës do t’i duhen edhe votat e opozitës për miratimin e ndryshimeve pasi për çdo ndërhyrje në Kodin Penal duhen jo më pak se 84 vota.