Humb jetën efektivja shqiptare në bazën e NATO-s, reagojnë Rama dhe Meta

Pajisje e përdorur nga forcat xheniere shqiptare në bazën e NATO-s, Letoni.

Presidenti i Republikës Ilir Meta dhe Kryeministri Edi Rama, kanë shprehur ngushëllimet e tyre për humbjen e jetës së nëntetares shqiptare në bazën e NATO-s në Letoni, pas shpërthimit të municioneve të paplasura.

“Presidenti Meta i shpreh ngushëllimet më të thella familjes se Nëntetares Zarife Hasanaj, si dhe pjesëtarëve të kontingjentit të Forcave të Armatosura në Letoni. Presidenti po ndjek me shqetësim gjendjen e efektivëve të plagosur dhe u shpreh urimet për shërim sa më të shpejtë Major Klodian Tanushi dhe Rreshterit Julian Kapaj”, thuhet në deklaratën e Presidentit.

Më parë, reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale edhe Kryeministri Rama. “Dhimbje e respekt i thellë për efektivin e Forcave të Armatosura, Zafire Hasanaj, e cila ra në krye të detyrës gjatë një misioni të NATO-s në Letoni, ku u plagosën dhe dy efektivë të tjerë! Ngushëllime  familjes, të afërmve e miqve të Zafires dhe qoftë i përjetshëm kujtimi i saj”, shkruan Rama në Twitter.