Ktheu ligjin për vetting-un në polici, rrëzohet dekreti i Presidentit

Dekreti i Presidentit Ilir Meta që kthente për rishqyrtim ligjin e ndryshuar për vetting-un në polici është rrëzuar në Komisionin e Sigurisë, duke marrë vetëm tre vota pro.

Gjatë diskutimit në komision, ministri Lleshaj hodhi poshtë pretendimet e Metës se Ministria e Brendshme cenonte pavarësinë e policisë. “Pretendimet e Presidentit janë përtej çdo absurdi”, tha Lleshaj. “Sipas tij, mos përcaktimi i kohës kur mbaron, vendos nën presionin e qeverisë policë të çdo niveli. Shumë mirë që vendosen në presion. Ata që nuk kanë mizë nën kësule, nuk kanë pse shqetësohen”.

Ndërsa Pjerin Ndreu, relator i çështjes në komision tha se argumentet e Presidentit ishin paragjykim. “I pari paragjykohet ministri, që sipas Presidentit po kryen një punë antiligjore përmes Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat”.

Pjesëmarrës në komision ishte edhe Lefter Maliqi, deputet i dalë nga listat e Partisë Demokratike, pas dorëzimit të mandatave të opozitës. “Si në kohën e PD, edhe tani, emërimet e shefave të policisë bëhen nga politika dhe deputetët”, u shpreh ai. “Para se të marr detyrën, unë kam kaluar vetting spektakolar. Dhe jam i hapur jo vetëm për atë, por për çdo lloj hetimi”, iu përgjigj Lleshaj.

Presidenti Meta ktheu ligjin për vetting-un në polici, të miratuar nga Kuvendi në mars të 2019, pas ndryshimeve të propozuara nga ministri i ri i Brendshëm, Sandër Lleshaj. Kreu i shtetit tha se me ndryshimet ligjore, qeveria po tenton të kapë procesin e vetting-ut në polici, duke ia besuar një strukture që e kontrollon qeveria, si Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave.

Po ashtu, Presidenti tha se ligji cenon parimet dhe standardet e vendosura në ligjin ekzistues dhe nga ana tjetër nuk krijon garancitë se vlerësimi aktual i punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës do të realizohet në kohë dhe me paanshmëri.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN