Precedentët e bojkotit, vendimi i gjykatës kur PD u priste rrogat socialistëve

Demokratët nuk janë të parët që kërkojnë të paguhen me rrogë të plotë edhe për muajt kur kanë bojkotuar Kuvendin.

Edhe pse sot në pushtet, socialistët u presin rrogën kolegëve kur braktisin punimet parlamentare, kanë qenë vetë deputetët e PS-së ata që kanë krijuar precedentin. Ishte viti 2010 kur pas një bojkoti të nisur që në vjeshtën e 2009-ës, atëherë kryeparlamentarja demokrate Jozefina Topalli u preu rrogat deputetëve socialistë, që kishin dalë në rrugë me thirrjen “hap kutitë ose largohu”.

Socialistët iu drejtuan gjykatës duke pretenduar rrogën e plotë edhe gjatë muajve të bojkotit dhe togat e zeza u dhanë të drejtë.

Me bojkotin e vitit 2015, kur rolet kishin ndryshuar, demokratët tashmë në opozitë shfrytëzuan pikërisht këtë precedent në favor, njësoj siç kanë bërë edhe me bojkotin e nisur në gjysmën e dytë të vitit 2018, që mori fund me rikthimin e tyre në seancën e fundit të vitit të kaluar.

Edhe për këtë periudhë deputetë të Partisë Demokratike i janë drejtuar përsëri gjykatës duke kërkuar të përfitojnë rrogën e plotë.

Me dy vendime gjykatash në favor tashmë, pritet që Kuvendi t’u dorëzojë opozitarëve bojkotues paratë që u ka mbajtur.