Situata në ligat europiane, Partizani pranë titullit, Tramezzani feston në Qipro – A2

Situata në ligat europiane, Partizani pranë titullit, Tramezzani feston në Qipro

Dy pikë për t’u rikthyer te titulli, pas më tepër se çerek shekulli pritje. Partizani ka shansin që në derbin me Tiranën të mbyllë garën në kampionat.

Me fitore përballë rivalëve të përjetshëm, të kuqtë do të festonin, pavarësisht rezultatit të Kukësit në Gjirokastër.

Distanca prej 10 pikësh nga ndjekësit, bën që Partizani të ketë luksin e festës së titullit edhe me barazim ose humbje, në rast se Kukësi nuk fiton ndaj Luftëtarit. Nëpër Europë, një pjesë e madhe e fituesve janë përcaktuar.

Më i fundit ishte Paolo Tramezzani. Ish-zëvendëstrajneri i Kombëtares u shpall kampion i Qipros me APOEL Nikosian. Festa nisi pas suksesit 3-0 me rivalët direkt të Apollon Limassol, me Tramezzanin që tani do të provojë fazën e grupeve të Champions, duke kaluar nga turet eliminatore.

Gjatë fundjavës që lamë pas, u zyrtarizuan edhe kampionët në disa liga europiane. Celtic formalizoi triumfin në Skoci, Salzburgu në Austri, Crvena Zvezda në Serbi dhe Zeniti në Rusi.

Suksesi më i rëndësishëm është ai i Celtic, që barazoi Juventusin, duke fituar titullin e tetë me radhë.

Përveç Serisë A italiane, Superligës zvicerane ku fitoi Young Boys dhe Ligës së Parë kroate, ku vijon dominimi i Dinamo Zagreb, ligat e tjera të mëdha kontinentale mbeten ende të hapura: Premier League, Bundesliga, Eredivisie holandeze, Primeir Liga portugeze apo edhe Superliga turke.

Në Angli vijon dueli ndërmjet Manchester City-t dhe Liverpool, ndërsa në Gjermani Bayerni duket fare pranë suksesit, pas ecurisë së dobët të Borussia Dortmund.

Porto nuk dorëzohet dhe ka vetëm dy pikë distancë nga Benfica kryesuese, ndërsa në Holandë, Ajax dhe PSV kanë të dyja 80 pikë në renditje, kur mbeten dy javë nga fundi. Emocionuese edhe gara në Turqi, ku me tre javë të mbetura, Galatasaray dhe Istanbul Basaksehir kryesojnë me 63 pikë, të ndjekura nga Besiktasi me 4 pikë më pak.

Shkarkoni aplikacionin e A2