Studio “Boeri” vjen në kryeqytet: “Tirana, Eldorado për arkitektët”

Tirana është sfida më e re për Stefano Boerin. Autori i planit  urbanistik të kryeqytetit zhvendoset në Tiranë, jo vetëm për të ndjekur nga afër ndryshimet sipas planit “Boeri” por dhe për projekte të tjera.

Në një intervistë për A2 CNN arkitekti Stefano Boeri tregon se si e sheh kryeqytetin shqiptar tre vjet pasi mori në dorë zhvillimin e Tiranës së Re.

“Tirana është një qytet dinamik  dhe që nga 2016 që ne kemi bërë planin, shohim shumë ndryshime. Po vazhdon ndërtimi i bulevardit të ri, po ngrihet stadium i ri, por mendoj gjithashtu se sheshi Skenderbej” ishte një nga transformimet më të mëdha. Ne i dhamë një frymë ndërkombëtare qendrës së Tiranës, e ndryshuam atë. Si shumë qytete evropiane edhe Tirana është në zhvillim. Në 2016  bëme projektin e Tiranës së Re, me pyllin orbital përreth  qytetit, me  ndërtimin e shkollave të reja dhe krijimin e hapësirave çlodhëse.  Jam i kënaqur nga ndryshimet qe po shoh dite pas dite”, thotë ai.

Arkitekti italian tregon tre shtyllat mbi të cilat është ngritur plani i zhvillimit të Tiranës. Nëse për disa koncepte  do të jetë fanatikë për zbatimin e tyre në terren. Boeri sqaron se projekti do të jetë fleksibël.

Prezantimi i pyllit orbital që do të rrethojë Tiranën

“Plani i Tiranës ka tre shtylla të forta. E para është Tirana policentrike, ide që synon krijimin dhe zhvillimin shume qendrave multifunskionale. Dhe kjo ka filluar të ndodhë si zonën e Bulevardit ashtu dhe  parkun jugor të Tiranës, në kodrat  e liqenit.

 E dyta është ndërtimi i pyllit orbital i cili do të ndalojë zgjerimin e qytetit dhe konsumimin e pasurive natyrore. Njëkohësisht  ai do ti ofrojë qytetit hapësira të gjelbra dhe ajër të pastër. Do të ndihmojë në biodiversitetin e gjithë zonës. Pylli  së bashku me unazat e gjelbra do të krijojnë më shumë zona të gjelbra dhe çlodhëse për të gjithë.

E treta është  ndërtimi i shkollave të reja dhe funksionimi i tyre si qendra komunitare. Ne e kemi menduar planin si totalisht fleksibël. E vetmja gjë që do të jetë strikte janë disa disa koncepte që kanë të bëjnë me faktin se qyteti nuk duhet të zgjerohet, duke u rikonceptuar brenda kufijve ekzistues. Prandaj e kemi ideuar pyllin orbital i cili do të shmangë këtë lloj zgjerimi.

Projekte shkollash në Tiranë të projektuara nga Boeri

Tirana është një qytet me potencial të jashtëzakonshëm, dhe mund të ketë edhe mundësi të mëdha ekonomike. Prandaj ne po e konceptojmë këtë pjesë të qytetit si diçka që duhet të zhvillohet në densitet”, pohon.   

Por çfarë mendon Boeri për arkitekturën dhe ndërtimet e viteve të fundit kryesisht në Tiranë?

“Tirana është bërë si qendër Eldorado për arkitektët. Mendoj se ajo çfarë ka bërë studio për sheshin “Skenderbej” është një punë shumë  e mirë, po ashtu projekti për tjetërsimin e piramidës dhe  stadiumin e ri janë punë shumë të mira. Unë besoj në punën e arkitekteve ndërkombëtarë e cila  do të jete një shkollë shume e mirë për arkitektet e rinj. Urbanistët dhe arkitektet në Shqipëri duhet të jenë pjesë e procesit të ndryshimit, pasi Tirana ka potenciale të mëdha zhvillimi”, thotë ai.

Pasi goditi me konceptimin e pyllit vertikal në Milano, një qiellgërvishtësi me ballkone të mbuluar nga peme dhe lule, Stefano Boeri e sjell pyllin në lartësi edhe në Tiranë.

“Pylli Vertikal”, projekti i ri në Tiranë i Boerit

“Kemi filluar ndërtimin e “Pyllit vertikal”, mendoj i pari në Shqipëri. Do të jetë në sheshin Nënë Tereza në pjesën jugore të bulevardit. Është një ndërtesë me 22kate, tre fasada, e mbuluar nga gjelbërimi, me dyqane me zona të ndryshme shërbimi. Ndërtimi i pyllit vertikal tregon zhvillimin që po pëson Tirana, nga një ambient me asfalt dhe beton në një qytet të gjelbër. Stadiumi i ri bashke me pyllin vertikal do të ndryshojnë strukturën natyrore të kësaj zone”, pohon Boeri.

 Studio Boeri është vendosur edhe në Tiranë. Pas planit urbanistik, arkitekti Italian do të jetë pjesë e ndryshimeve në kryeqytet duke ofruar konceptet e tij  për ndërtimet e reja.

 “Po, ne tashmë jemi dhe në Tiranë. Kemi një zyrë komerciale në Bllok,  kemi gjithashtu një godinë rezidenciale  pranë stadiumit. Projekti jonë i parë është pylli vertikal pranë sheshit “Nënë Tereza” po sigurisht jemi të interesuar edhe në projekte të tjera si  për ndërtimin e shkollave, rezidenca dhe objekteve të tjera. Hapja e studios këtu synon gjithashtu të sjellë diçka të re për arkitektët e rinj”, thotë arkitekti italian.

Plani urbanistik është në vitet e parë të zbatimit por autori i tij, Stefano Boeri është i sigurt se Tirana në 2030 do të jetë një qytet evropian  me shumë gjelbërim,  më i zhvilluar dhe me ndërtime shumë të bukura.

  • LAJMI I FUNDIT | KPA vendosi të shkarkojë nga detyra anëtarin e Kushtetueses, Besnik Muçi
  • LAJMI I FUNDIT | Komisioneri Publik ankimoi vendimin e shkallës së parë të vettingut për Muçin
  • LAJMI I FUNDIT | Sipas KPA, gjyqtari Besnik Muçi nuk justifikonte burimet e pasurisë