Tre kartonë të kuq e tension, Milani fiton ndaj Bologna-s mes ankthit

Milani vazhdon të ëndërrojë për një biletë Champions-i sezonin e ardhshëm edhe pse duket e vështirë për t’u realizuar kur kanë mbetur edhe 3 ndeshje nga fundi i Serie A.

Megjithatë, kuqezinjtë të paktën vazhdojnë të mbajnë ende gjallë shpresat pas një fitoreje tejet të mundimshme ndaj Bologna-s në “San Siro”.

Suso u rikthye te goli pas një mungese të gjatë, duke e gjetur rrjetën në minutën e 37, ndërsa Borini dyfishoi shifrat në të 67-ën.

Këtu u duk se ndeshja u mbyll edhe pse Bologna ishte treguar e rrezikshme deri në ato minuta. Në minutën e 72, një ish-milanist, por tashmë në radhët e Bologna-s së Mihajlovic, Destro ngushton diferencën. Tre minuta më pas, braziliani Paqueta ndëshkohet me karton të verdhë, pasi reagoi ashpër ndaj gjyqtarit pas një ndërhyrje të rëndë të kundërshtarëve. Por nuk e mbylli këtu. Pasi pa kartonin e verdhë, mesfushori vijoi ende protestat dhe arbitri nuk hezitoi t’i jepte kartonin e kuq.

Bologna besoi se mund të merrte të paktën një pikë nga kjo transfertë, por nuk ia arriti qëllimit edhe pse rastet e shumta nuk i munguan. Në fund, pati vend edhe për dy kartonë të kuq për skuadrën mike.

Me këtë fitore, Milani ngjitet në vendin e pestë me 59 pikë, 3 më pak se Atalanta e vendit të katërt.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN