Vucic: Kosova e pavarur në të gjithë territorin, por Serbia nuk do e njohë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vucic foli si asnjëherë më parë, për sa i përket problemit me Kosovën. Ai tha se në të ardhmen Kosova do të fitojë pavarësinë dhe sovranitetin në të gjithë territorin e saj.

 Sipas Vucic kjo nuk do të ndodhë sepse ai do ta njohë atë, por për shkak se dështoi ideja e tij për një kompromis final. Kjo gjë ndodhi sepse populli serb mendoi ndryshe dhe për këtë Vucic paralajmëron se do t’i kushtojë shtrenjtë Serbisë për dy ose tre dekada.

Kreu i Shtetit serb shprehet se ka pasur një fushatë të ashpër kundër mundësisë për kompromis me anë të ndryshimit të kufijve, si brenda ashtu dhe jashtë Serbisë.

“Të gjithë ata që krijuan një Kosovë të pavarur, ndërsa ne kemi pasur bisedime për rishikimin e kufijve, pretendojnë të jenë injorantë pasi nuk duan ta pranojnë se mbështesin pavarësinë e të gjithë Kosovës nga Serbia. Rada Trajkovic e mbështeti atë, gjithashtu dhe kancelarja gjermane Angela Merkel dhe të gjithë të tjerët”, thotë presidenti serb.

Vucic thotë se shpallja e njëanshme e pavarësisë nga Kosova në vitin 2008, u ndihmua nga qeveria serbe atëkohë pasi sipas tij u treguan “idiotë” duke kërkuar opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Gjithashtu nënvizoi se pozitën e Prishtinës e ndihmoi dhe transferimi i negociatave për Kosovën nga Kombet e Bashkuara tek Bashkimi Evropian.