Banorët e Unazës së Re tentojnë të futen në komisariat, konfrontohen me policinë

Banorët e Unazës së Re janë përleshur sërish me policinë, këtë herë te komisariati numër 6 në Kombinat, aty ku janë dërguar të paktën 5 të ndaluarit e pak orëve më parë, mes tyre edhe ish-deputeti Klevis Balliu, të cilët u shoqëruan kur tentuan t’i bllokonin rrugën Kryeministrit te zona e “Astirit”.

Situata duket e vështirë pasi të gjithë protestuesit kanë kërkuar të futen brenda duke u konfrontuar përsëri me policinë. Ata janë bllokuar nga ndërhyrja e forcave speciale, ndërsa sipas përfaqësuesve të Partisë Demokratike ata janë aty thjesht për të bërë një denoncim.

“Jemi duke u përpjekur që të hymë brenda për të komunikuar me policinë”, tha Gent Strazimiri. “Nuk të lënë të futesh në komisariat”.

“Kryeministri ka humbur jo vetëm toruan, por edhe çdo lloj ndjeshmërie njerëzore që të jem i sinqertë po e çojnë vendin përditë e më shumë drejt një përplasje që nuk dihet çfarë pasojash do të ketë. i pari që do ta vuajë këtë do të jetë vetë Rama, por për fat të keq këtë po e vuajnë edhe qytetarët”, tha Edi Paloka, nënkryetar i PD.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN