FMN e shqetësuar, kritika e rekomandime për qeverinë

Fondi Monetar Ndërkombëtar është më pesimist për ekonominë shqiptare gjatë këtij viti, duke e ulur parashikimin në 3,5%, nga 3,7% që e kishte më parë. Në deklaratën përmbyllëse, kreu i misionit dyjavor në Tiranë, Jan Kees Martin, deklaroi se kjo vjen si pasojë e prodhimit më të dobët të energjisë dhe shtimit të rreziqeve nga partnerët ndërkombëtarë.

Misioni i FMN la edhe shumë detyra për qeverinë shqiptare, veçanërisht në drejtim të menaxhimit të borxhit dhe të financave publike. Qeveria duhet ta ulë borxhin, që FMN e llogarit në 69,9% të PBB përmes rritjes së të ardhurave dhe jo shkurtimit të investimeve publike.

Duke u ndalur tek partneriteti publik privat, misioni i ka ripërsëritur qeverisë shqiptare kërkesën që të ndalojë menjëherë dhënien e kontratave të partneritetit publik privat, për shkak të riskut të lartë që kanë për buxhetin dhe ekonominë.

Kritika të forta, FMN la edhe për draftin e qeverisë për krijimin e korporatës së investimeve shqiptare. Sipas përfaqësuesve të institucionit ndërkombëtar, KISH mund të kthehet në një instrument shpenzues të mbajtur jashtë buxhetit, çka do të rrezikonte disiplinën fiskale.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN